Fataliteti kushtetues në këtë fushatë

10/06/2013 00:00

Aleksander Cipa – Në fushatat elektorale të këtij vendi, frymë është
antiligji. Një antologji të pasur shkeljesh shijon për çdo ditë në këtë
fushatë zgjedhore. Një protagonizëm i shumëshfaqur antiligj.

Nuk kanë vlerë denoncimet e rralla që bëhen brenda kontekstit elektoral. Ligji për funksionimin dhe paanshmërinë e administratës publike duket se ka qenë dikur, ndërsa prej ditësh ka pushuar së qenë në fuqi! Një flagrancë të tillë kurrë nuk kemi shijuar në tri apo katër fushatat e fundit elektorale. Një mësymje shumëllojëshe për komunikime me çdo anëtar të administratës publike nga selitë dhe sidomos zyrat elektorale të partisë. Një shembje të tillë të forcës vepruese të ligjit, kurrë nuk e kemi shijuar dhe provuar si në këto ditë elektorale të vitit 2013.

Në mënyrën më këmbëngulëse secili pjesëtar i administratës publike telefonohet dhe duhet të paraqitet nëpër zyrat elektorale të njësive. Kjo është mënyra më dominante në marrëdhëniet mes zyrave dhe nëpunësve të administratës në Tiranë. Në qytetet e tjera, forma është edhe më imponuese. Nuk mjaftojnë vetëm telefonatat, por detyrimet për paraqitje janë ritual i pohueshëm nga kushdo. Një elektoautokraci e tillë e ka rikthyer marrëdhënien e nëpunësisë në formë nënshtrimi ndaj fushato-partisë. Kjo është aktualisht forma e detyrueshme e sjelljes dhe komunikimit, ndërsa nuk ka mbetur asnjë zyrë apo institucion-ishull dallues për thelbin dhe përmbajtjen zbatuese të ligjit. Në thelbin e vet kjo është jo vetëm shembje e ligjit, por edhe humbje përfundimtare e integritetit ligjor të administratës publike dhe institucionalizmit apolitik. Ndaj kësaj përdhosjeje, fatkeqësisht duket e padëgjueshme opozita, por më së shumti edhe zërat e shoqërisë civile të mbetur dhe të opinioneve të ndryshme në media dhe shtyp. Një pafuqi reaguese prej autoriteteve ligjore, sikur nuk ekzistojnë. Me kohë do të ishte në nderin ligjzbatues të Autoritetit të Administratës Publike apo Komisionit të Shërbimit Civil, të shpreheshin për këtë fushatë shembëse të ligjit, por më shumë të besueshmërisë së administratës për qenien e saj larg dhe mbi politikën. Por tashmë asgjë s’ka mbetur. Një zëdhënësi të tillë elektorale kurrë ndonjëherë më parë nuk e ka manifestuar administrata jonë shtetërore me kaq bindshmëri dhe nënshtrim.

Mëkati kriminal për këtë shembje nuk mund t’i mbetet vetëm Kryeministrit apo partisë që drejton. Përgjegjësia ligjore është një normë e harruar, më së shumti, prej institucioneve që kanë tagrin kushtetues dhe ligjor për të mos lejuar deformimin dhe kapjen partiake të të gjitha institucioneve dhe administratës sonë. Reagimi ndaj këtij problemi të madh kombëtar duhet të vijë së pari prej autoriteteve kushtetuese. Me kohë Presidenti i Republikës, zoti Nishani, duhej të shprehej për domosdoshmërinë e mënjanimit dhe kapërcimit të kësaj shembjeje të paanshmërisë së administratës nga beteja partiako-elektorale. Infrastruktura dhe mjetet e institucioneve kanë marrë vlerën e segmenteve dhe gjymtyrëve të partive që zotërojnë pushtet dhe aspirojnë mbajtjen e tij. Ndërkohë që shëmbëllesa po kaq të shëmtuara shfaqen administratat vendore që ndahen në qeverisje si të opozitës. Në këtë heshtje, institucionet tona ndaj krimit elektoral mbesin edhe kur dihen publikisht lëvrimet e shumave marramendëse mitëmarrëse dhe mitëdhënëse për mitingjet dhe koret populiste të partive, edhe kur studentë e pedagogë të universiteteve private merren në shtegtimin elektoral përdhunshëm, duke krijuar prototipat e turmave elektorale të rekrutuara të këtij vendi.

Për këtë shembje me pasoja dhe dëm të madh kombëtar, me kohë do të duhej të reagonin edhe institucionet e drejtësisë, për të vënë para përgjegjësisë ligjore ata titullarë që me devotshmërinë e tyre partiake, ia kanë dalë të shndërrojnë institucionet dhe skotën e administratës që drejtojnë, në mercenarë elektoralë të partive. Logjika se këtë rrjedhë nuk e ndal askush që ka dalë prej besimit partiak, është pjesë e fatalitetit kushtetues në këtë vend. Ky është tipari dominant i kësaj fushate që shfaqet që prej mënyrës antiligjore të funksionimit të deritanishëm të Komisionit Qendror Zgjedhor e deri në mënyrën sesi titullarët e drejtorive të përgjithshme, instituteve kombëtare, enteve publike, gjithë nëpunësisë së ministrive dhe komiteteve të ndryshme, janë bërë pjesa talibaneske e fushatës zgjedhore. Raporti paraprak i ODIHR-it për këtë fushatë është një notë alarmuese që e ngre makthin për besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë pranuese të rezultatit dhe konkurrimit asimetrik zgjedhor. Një formë dhe realitet që shumëfishon dyshimet jo vetëm për paranoja politike e partiake, por më së shumti që rrezikojnë shumë seriozisht integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve që presim. Në këtë anormalitet po shton kapacitetin pjellshmëria e një konflikti dhe refuzimi politiko-elektoral, për të cilin protagonistët e vjetër dhe të rinj, kanë prirjen të përsërisin shfajësimet dhe akuzimet tradicionale.

Shëmtia e institucionit të KQZ-së së paplotë është monstra tipike shqiptare e fatalitetit ligjor dhe kushtetues. Një monstër të tillë e pranojmë përmes refuzimit të një pale pa kufi kohor, dhe këmbënguljes kryeneçe të palës tjetër, pa njohur asnjë fije detyrimi për të krijuar përpjekjen minimale për të mos ecur në këtë realitet krize. Shumica aktuale në qeverisje që kërkon makthshëm mandatin e tretë, i ka rrëmbyer në përdorim të gjitha: shtetin, administratën, ligjin, infrastrukturën, vendimet dhe fatkeqësisht edhe kontrollin. Një ndërgjegje të tillë njëpërdorimshme, nuk ka pasur rast ta shpalosë kaq arbitrarisht në fushatat e viteve 2005, 2009, 2011, si dhe sa po e shpalos aktualisht për zgjedhjet e 23 qershorit. Një rrjedhë të tillë, sadopak, do të duhej ta ndalte autoriteti i Prokurorit të Përgjithshëm të vendit, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i inspektorateve kombëtare dhe i gjykatave që mbrojnë dhe shprehin ligjzbatimin në hapësirën administrative të vendit.

Fushata ka rrëmbyer shtetin dhe prej saj nuk mund të dalë kurrsesi një shtet institucional dhe funksional sipas ligjit. Rrjedha politizuese dhe partizuese brenda shtetit, nuk është më një fenomen i pjesshëm, por një frymë dominuese. Matanë saj, askush nuk mund të jetë i pavarur dhe në punë. Ky fatalitet kushtetues duhet denoncuar maksimalisht dhe në çdo detaj, pasi është e vetmja formë për të neutralizuar sadopak autoritetin absurd dhe tribal të prijësve elektoralë që zotërojnë shtetin dhe pretendojnë shtetmbajtjen për nesër.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA