Borussia: Lewandowski nuk shkon tek Bajerni

10/06/2013 19:15

Drejtori i përgjithshëm i Borussias së Dortmund, Hans-Joachim Watzke, përjashtoi përfundimisht mundësinë e transferimit të polakut Robert Lewandowski tek Bajerni i Mynihut.

Në një intervistë për “Bild”, Watzke bëri të ditur se nënkampionët e Europës janë të gatshëm që të pranojnë rrezikun e largimit të sulmuesit të tyre me parametra zero në fund të kontratës së tij në 2014-n, vetëm për të mos e shitur tek rivalët e tyre të Bundesligës.

Megjithatë, Watzke nuk përjashtoi mundësinë që polaku të transferohet në një ekip tjetër të madh europian, nëse “oferta e përshtatshme” do të mbërrijë. “Përfundimisht, Lewandowski nuk do të kalojë tek Bajerni në 2013-n. Ky vendim është marrë, është përfundimtar dhe ia kemi komunikuar edhe Robertit e përfaqësuesve të tij”, deklaroi numri dy i Borussias.

“Përgjatë muajit të fundit, kemi pasur dy telefonata nga ana e Bajernit. I bëmë të qartë që çdo ofertë e tyre, në mënyrë që të merrej në konsideratë, duhet të ishte e shkruar, kusht i detyrueshëm për një klub të kuotuar në bursë si Borussia, por diçka e tillë nuk ndodhi dhe ne nuk kemi ndërmend të negociojmë më”, tha Watzke.

“Është në qëllimin tonë që të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë palët e përfshira, por me siguri që nuk do të kalojë tek Bajerni. Paratë nuk janë objektivi primar për Borussian. Në sezonin e shkuar, ne fituam 70 milionë euro nga Champions League me Lewandowskin në fushë dhe pa të, edhe nëse shitet për një farë shume, këto fitime mund të reduktohen, prandaj llogaria nuk është se favorizon detyrimisht shitjen pa hyrë në fuqi viti i fundit i kontratës”, përfundoi arsyetimin e tij, drejtori i përgjithshëm i Borussias.

Top Channel