Përmbytjet, mijëra të evakuuar

06/06/2013 01:10

Çarja e digave në jug të Gjermanisë ka detyruar evakuimin masiv të banorëve në zonat e përmbytura, ku ekipet e shpëtimit nuk mundën të mbërrinin përveçse me helikopterë.

Kriza e vërshimit të ujrave të Danubit vazhdon. Argjinaturat e lumit Isar nuk mbajtën as ato, duke detyruar largimin e mijëra vetëve nga qyteti i Degendorfit. Kërcënimi i përmbytjeve mbetet i lartë edhe në disa pjesë të Austrisë e Republikës Çeke.

Bilanci i viktimave deri tani, në të tre vendet e prekura, është 12 të vdekur e 2 të humbur. 7 prej vdekjeve u regjistruan në Republikën Çeke, 3 në Gjermani dhe 2 në Austri, nga ku janë edhe dy të zhdukurit.

Për disa zona të Gjermanisë, një vërshim i tillë ujrash, pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe një pranvere më të lagësht se zakonisht, nuk ishte parë prej shekujsh. Edhe në qytetin historik të Dresdenit, ku janë evakuuar me qindra vetë, niveli i Elbës nuk do ta mbërrijë pikun përpara të enjtes.

Kancelarja Angela Merkel vizitoi më herët zonat e përmbytura e premtoi ndihmë të menjëhershme. Situata të tilla ekstreme u kanë shërbyer shumë disa politikanëve në të kaluarën, duke u siguruar rizgjedhjen.

Ekipe të tëra kameramanësh përcollën pamjet e një kancelareje, që kujdeset pa u bërë imponuese, duke hequr me lopatë baltën, së bashku me ushtarët në rrugët e qendrës historike të qytetit të Passaut e duke u dhënë dorën viktimave të përmbytjeve.

Për studiuesin e marrëdhënieve me publikun, Klaus Kocks, kjo nuk është vetëm ndihmë, por, tre muaj e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve për parlamentin e landit të Bavarisë, është natyrisht edhe fushatë zgjedhore.

Merkel, sipas tij, shfrytëzoi rastin për t’u shfaqur si shpëtimtare e situatës. Ndërkohë, në kryeqytetin çek, Pragë, ku ekzistonte frika e përsëritjes së katastrofave natyrore të viteve 1997 dhe 2002, niveli i ujrave është stabilizuar.

Rrjeti hekurudhor, që lidh Pragën me Berlinin, megjithatë, vazhdon të mbetet nën ujë, duke detyruar trenat të ndërrojnë drejtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA