Kombëtarja, Shqipëria renditet e 38-ta

06/06/2013 00:00

Lajmi që Shqipëria është renditur në vendin e 38 në renditjen e FIFA-s ka gëzuar trajnerin e kombëtares shqiptare, i cili përveç afrimitetit që ka krijuar me tifozët shqiptarë, tashmë ndihet i vlerësuar edhe nga FIFA.

“Është një rezultat i mrekullueshëm. Jam shumë i gëzuar sepse vlerëson më së miri punën që kemi bërë deri tani”, theksoi De Biazi.

Ashtu siç kanë bërë lojtarët kuqezi, edhe trajneri i kombëtares tonë ka dashur të ulë entuziazmin e tepërt para kësaj sfide: “Para ndeshjes në Oslo kemi qenë të qetë, ndërkohë tani shoh që gjërat kanë ndryshuar. I kuptoj të gjitha pritjet që kanë tifozët shqiptarë për këtë ndeshje, por ajo që dua t’ju them është se ne bashkë me lojtarët po bëjmë maksimumin që t’ju falim kënaqësi. Kjo nuk është ndeshja vendimtare e jona, pasi sido që të jetë rezultati i së premtes, ne kemi edhe 4 sfida të tjera. Do mundohemi të bëjmë një ndeshje të madhe, shumë inteligjente, shumë të kujdesshëm në të gjitha aspektet e lojës dhe të minizojmë në maksimuam gabimet.”

Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë De Biazi nuk ka publikuar formacionin që do të luajë të premten që nga minuta e parë, duke lënë të nënkuptohet se ajo do të mësohet ditën e ndeshjes.

Kontrollet mjekësore. FSHF firmos kontratat për kombëtaren dhe Superligën

Federata Shqiptare e Futbollit ka nënshkruar një kontratë 10-vjeçare me Spitalin Amerikan. E reja e kësaj kontrate është se nga shërbimet mjekësore nuk do të përfitojë vetëm kombëtarja A.

Ilir Shulku, sekretar i përgjithshëm i FSHF-së, u shpreh: “Kjo marrëveshje do të jetë një ndihmë shumë e madhe për të gjithë futbollin shqiptar dhe jo vetëm për kombëtaren.”

Klodian Allajbeu, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Amerikan, nënvizoi rëndësinë e kontrolleve mjekësore në futbollin e sotëm: “Duhet që futbollistët të jenë gjithmonë të kontrolluar në mënyrë që gjatë ndeshjeve mos të ketë probleme shëndetësore. Ne do të mundohemi të japim maksimumin.”

Top Channel