
Kreu i PS, Edi Rama ka zhvilluar pasditen e së mërkurës një takim
elektoral me banorët e Cërrikut, të cilëve u ka premtuar ndryshimin
përmes skuadrës së Rilindjes të prezantuar prej tij.
“Skuadra e Rilindjes për Elbasanin, e përbërë nga Alfred Peza, Musa
Ulqini, Taulant Balla, etj, do t’ju përfaqësojë denjësisht”, ka
deklaruar Rama.
Lideri i opozitës ka ftuar banorët e Cërrikut që më 23 qershor të
votojnë për Partinë Socialiste, në mënyrë që të shmangin atë që ai e ka
quajtur “vazhdimin e rrënimit”.
“Më 23 qershor duhet të marrim tek kutia e votimit edhe një tjetër që
nuk ka votuar. Më 23 qershor është zgjedhja mes rrënimit të mëtejshëm
dhe Rilindjes”, ka shtuar Rama.
Pak më vonë Rama ka zhvilluar një tjetër takim elektoral, këtë herë në qytetin e Gramshit, ku ka premtuar se, më 23 qershor qeveria e majtë do t’i japë fund pushtetit të frikës dhe rrënimit.
“Një grusht njerëzish kanë grabitur pasuritë e popullit. Ne do t’jua kthejmë shqiptarëve. Ne do ulim taksat. Më 23 qershor do ta flakim taksën e sheshtë dhe do vendosim taksimin e ndershëm. Do ulim të gjitha taksat për prodhimin bujqësor”, ka premtuar Rama.
Kreu i PS ka ironizuar edhe deklaratën e sotme të kryeministrit Berisha, se do t’u japë para në dorë fshatarëve për të blerë naftën apo për të riparuar dëmet nga përmbytjet.
“Saliu thotë se do t’jua japë lekët në dorë. A ka ndonjë shqiptar që e beson se Saliu do të japë lekë në dorë për ata që përmbyten apo varfërohen? Kush e beson këtë përrallë të Saliut?! Kush e beson përrallën e lirisë së Saliut?! Më 23 qershor të votojmë për Rilindjen. Rilindje, rilindje, rilindje!”, ka shtuar Rama.
Rama: Fshati si në mesjetë
Më herët gjatë ditës, Rama ishte në Fushë-Labinot, ku situatën në të cilën ndodhet fshati sot e përmblodhi me dy
fjalë: rrënim dhe braktisje.
Përballë këtij konstatimi, kreu i PS-së u tha banorëve të kësaj zone se qeveria e ardhshme socialiste është e vendosur për t’ia kthyer vëmendjen fshatit.
“Nuk ka ujë, nuk ka ujë, nuk ka ujë. Pastaj Saliu reagon si i fyer, ‘c’është kjo mesjetë, nuk jemi në mesjetë ne jemi në NATO’, etj. Nëse raporti është siç është sot, që s’ka ujë për t’u larë dhe vaditur dhe kur be shi përmbytesh, sigurisht që këtu jemi në një gjendje mesjetare. Këneta në Korçë ka dalë prapë. Është shfaqur prapë. Në Vlorë është rishfaqur zona malarike, është bërë mushkonja për ta marrë Saliu në koalicion. U bë legjendë çdo fushatë, të gjitha partitë premtojnë prej 20 vjetësh se do të sjellin ujë, por uji është këtu. Në programin tonë kemi përcaktuar 160 milionë dollarë për ujin në parcelë”, tha Rama.
Sipas Edi Ramës, infrastruktura rrugore duhet të jetë në funksion të fshatit, sikurse edhe nevoja e një pakete që do të mundësojë uljen e kostove të prodhimit.
“Dy gjëra themelore nuk do shtrojmë, rrugë që mbeten rrugëve. Me qeverinë që i detyron kompanitë dhe i zhyt nëpër borxhe të tmerrshme për ato rrugë që i kanë lënë rrugëve pa asnjë cilësi. E dyta, ata nuk planifikojnë rrugë të lidhura me prodhimin, që të nxisin ndërtimin e rrjetit të kalimit të prodhimit dhe më pas edhe rrjetin e grumbullimit dhe shpërndarjes së prodhimit. Po kur kalben prodhimet? Po kur rrijnë prodhuesit e shkretë dhe arrijnë ta japin prodhimin e tyre me çmime të paimagjinueshme? Praktikisht iu shkojnë kot sepse nuk ka asnjë organizimin dhe asnjë strukturë për t’i qëndruar në krah fshatit. Vota e 23 qershorit ka një kuptim shumë të qartë, kush e do pushtetin në qafë le ta mbajë, kush do një qeveri në krah, që hallet tuaja të jenë dhe hallet tona dhe problemet tuaja të jenë dhe problemet tona, votoni PS dhe kështu do të ndodhë”, shtoi Rama.
Top Channel