Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të diplomuar jashtë vendit, kryetari
i LSI-së Ilir Meta i ftoi ata të japin kontributin dhe përvojën
perëndimore në zhvillimin e vendit të tyre.

“Eshtë tjetër të mësosh në një ambient të izoluar, është tjetër të mësosh në një ambient ku ti prek çdo ditë një realitet tjetër ose atë realitet që ti do të doje të ishte në vendin tënd. Do të bëjmë gjithçka për një integrim sa më të plotë dhe sa më efektiv të gjithë këtij “know-how” që ju keni fituar në mënyrë që ta vëmë në funksion të zhvillimit të vendit tonë”, tha Meta.

Topi akuzon Qeverinë: Duhet program, jo parrulla

Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të njësisë bashkiake numër 4 në Tiranë, kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi tha se të ardhmen nuk e përcaktojnë parrullat, por programet politike.

“Problemet kryesore lidhen me ata që po mbyllin një cikël 8-vjecar në pushtet. Lidhet dhe personalizohet me emrin e Kryeministrit, i cili ka marrë rrugën e Shqipërisë duke dhënë premtimet e radhës, premtime që nuk janë gjë tjetër vetëm një tentativë për të bërë demagogjinë e radhës”, tha Topi.

Mediu: Prona, më shumë se politikë

Fatmir Mediu prezantoi kandidatin për deputet të Partisë Republikane në Tiranë, Erjon Tufina. Nga njësia bashkiake numër 2, Mediu tha se për republikanët, cështja e pronës është më shumë se çështje politike.

“T’i kërkojmë BE-së, KE-së një grup ekspertësh që të certifikojë të gjithë legjislacionin për pronat për ta sjellë atë në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, tha Mediu.

PDIU: Politikë te re sociale

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim elektoral me banorë të kryeqytetit ku theksoi nevojën e një politike të re kombëtare dhe krijimit të një autoriteti me fuqi ekzekutive, të quajtur Autoriteti Kombëtar i Solidaritetit.

“Kjo është arsyeja përse në programin tonë ne kemi propozuar që të ketë një Autoritet Kombëtar të Solidaritetit, jo thjesht dhe vetëm pë rndihmën sociale, por të integrojmë të gjitha projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin, me punësimin”, tha Idrizi.

Topalli takon fasonët në Shkodër

Nënkryetarja e Partisë Demokratike dhe kandidatja për deputete e PD-së në qarkun e Shkodrës, Jozefina Topalli vijoi takimet elektorale me një vizitë tek sipërmarrjet e biznesit fason në Shkodër.

Për zonjën Topalli modeli ekonomik i qeverisjes së djathtë është një model i suksesshëm për sa kohë vendi, siç u shpreh ajo, ka vijuar me rritjen ekonomike. Topalli ndau me biznesin objektivat e Partisë Demokratike për të rritur pagat dhe punësimin.

“Në Shqipëri vazhdon rritja ekonomike, modeli ekonomik ka qenë i suksesshëm. Qëllimi ynë është të rritim pagat, të vijojmë me punësimin dhe të vazhdojmë me rritjen ekonomike”, tha Topalli.
 
Ruçi: Jo pazar me voten

Nga komuna Fier–Shegan, Gramoz Ruci u bëri thirrje qytetarëve të mos bëjnë pazar me votën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Nuk mund të bëni pazar me sigurinë tuaj, nuk mund të bëni pazar me të ardhmen tuaj. Do ju kërkoja pjesëmarrje ditën e votimit”, tha Ruçi.

Malaj: Taksim i shkallëzuar

Deputeti i pavarur Arben Malaj, në një konferencë për media, u shpreh se
në momentin aktual ekonomik të vendit, duhet një taksim i shkallëzuar.

“Nuk duhet abuzuar me tatimin progresiv. Pa një rritje ekonomike, e cila rrit të ardhurat, është e pamundur që të kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme për të përballuar sfidat. Debatet janë të nxehta në fushatë, por partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme. Pasojat e krizës ekonomike do të rëndojnë mbi taksapaguesit shqiptarë”, u shpreh Malaj.

Ashtu sikurse ka bërë me dije edhe më parë, Malaj theksoi se mandatin e tij nuk do ta shkëmbejë me karrige qeveritare, ndërsa theksoi se në rast se fiton, ai do të qëndrojë deputet i pavarur në katër vitet e ardhshme dhe do të jetë pro reformave kundër populizmit.

Top Channel