Me klithma ndaj agjentëve të policisë, Nikollë Jakaj, së bashku me të birin protestuan para Prokurorisë së Tiranës për moszbardhjen sipas tyre të shkaqeve të vërteta mbi vdekjen në spital të bashkëshortes e nënës Dile Jakaj.
66-vjeçari nga fshati Zejmen i Lezhës i ka konsideruar neglizhente veprimet e institucioneve për gjetjen e përgjegjësve, që sipas tij ndodhen në radhët e mjekëve, në një kohë që kërcënimet e tij u bënë shkak që prokuroria të kërkojë ndërhyrjen e policisë për ta shoqëruar të moshuarin në komisariat.
“Ata duhet të hetojnë këtë ngjarje. Kanë një vit e gjysmë që më sorollasin, tallen me mua. Unë u kallëzova se e di pse vdiq gruaja ime, ndërsa këta bëjnë ç’të duan dhe kanë sjellë policinë sikur ç’do t’u bëj unë. Unë s’dua të bëj asgjë, as që kam ndërmend t’ua prish luksin. Dua vetëm të di pse vdiq gruaja ime”, ka thënë Jakaj pas lirimit.
Kallëzimi nga familja e të ndjerës u bë shkak që në prokurorinë e kryeqytetit të regjistrohej proçedimi penal mbi dyshimet për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen.
Por pas kërkesës së grupit të hetimit për të patur një raport ekspertize, mjekësia ligjore doli pak ditë më parë në përfundimin se Dile Jakaj kishte ndërruar jetë nga tromboza në mushkri dhe se vdekja e saj nuk kishte ardhur nga neglizhenca e mjekëve, pasi ajo ishte kuruar sipas diagnozës së duhur.
Sipas aktekspertimit të mjekësisë ligjore, gruaja vuante nga një sëmundje e rëndë e quajtur poliradikulo neurit dhe nëse do të ishte kapur në kohë do të kishte shanse për kurimin e saj. Ky akteskpertim bëhet në këtë mënyrë shkak që dosja të mbyllet dhe hetimet të pushohen.
Top Channel