Zgjedhjet fatmirësisht janë të vakta në incidente, çka është e mirë, por lajmi më i mirë është se partitë po fokusohen tek programi, tek cështje që na shqetësojnë të gjithë ne dhe nëse ka një cështje ku të gjithë jemi të shqetësuar është shëndeti.
Thuhet se një vend i zhvilluar është një vend që ka një shërbim shëndetësor të zhvilluar. Shërbimi në Shqipëri vjen nga regjimi, që megjithëse ofrohej falas, me kalimin e viteve coi në rrënimin e tij. Sot ne presim shumë më tepër nga shërbimi ynë shëndetësor, si nga ai publik ashtu dhe nga ai privat. Por cfarë propozon dhe premtoi PD në mandatin e dytë të saj dhe cila është alternativa e PS?
Dhe për të folur për situatën në gjithë sistemin shëndetësor, për atë se cfarë mund të bëhej më mirë dhe se cfarë duhet të ndryshojë në të ardhmen, në panelin e Top Story me gazetarin Sokol Balla ishin të ftuar Halim Kosova dhe Bardh Spahia, përkatësisht Ministri dhe zv.Ministri i Shëndetësisë, përballë Sekretarit për Programin të Partisë Socialiste, Ilir Beqja dhe anëtares së komisionit të shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, Klodiana Spahiu.
Më 16 shtator të 2009, pak pas betimit të qeverisë së re, kryeministri Berisha pati premtuar me bujë një sërë reformash në sistemin shëndetësor, si 60 përqind rritje të buxhetit, luftë kundër korrupsionit, heqje të TVSH-së për mallrat dhe shërbimet shëndetësore, mbulimin e siguracioneve nga ana e qeverisë për të gjithë personat që nuk kanë mundësi ta paguajnë atë etj. Por sot, katër vite më vonë dhe në prag të zgjedhjeve, sa janë realizuar këto premtime?
Për Sekretarin për Programin në PS, Ilir Beqja qeveria ka dështuar në të gjitha këto drejtime: “Midis atyre cfarë kryeministri është angazhuar dhe ka marrë votën në Kuvend në 2009, unë mbajta shënim disa që i quaj si më të mëdhatë. Rritja e buxhetit me 60 përqind, TVSH do të jetë zero, eko dhe paptest falas dhe qeveria do paguajë për ata që nuk paguajnë. Realiteti është se shpenzimet në shëndtësi ishin 30.7 lek në 2009 dhe të programuara në 2013 janë 36.2 lek. Pra rritja është më pak se 6 përqind. Premtimi i parë s’është mbajtur. TVSH për mallrat dhe shërbimet shëndetësore ka hyrë në fuqi në janar 2011 me një ligj të miratuar në dhjetor të 2010-ës. Premtimi i tretë eko dhe paptest falas. Në Shqipëri më shumë se gjysma e lindjeve ndodhin nga nëna që nuk janë të siguruara. Në tetor 2009 Ministria e Shëndetësisë miraton tarifat e reja për shërbimet shëndetësore dhe eko nga 6 mijë lekë e rrit në 15 mijë lekë. Jo vetëm që s’e bënë falas, por për më shumë se gjysmën e nënave e rrit. Premtimi tjetër që qeveria do paguajë për ata që nuk kanë para të paguajnë, s’është realizuar kjo sepse ligji për sigurimet i miratuar në shkurt të 2011 që të hyjë në fuqi duhet të miratohen edhe gjashtë VKM që e bëjnë ligjin realisht të zbatueshëm. Nuk janë miratuar. Ka një ligj që e bën ligjin të miratueshëm tani në maj, me kategoritë që nuk paguajnë në spitale, kategori të ndjeshme që nuk do paguajnë, por të tjerët do paguajnë. Unë sot them që shumica dërrmuese e angazhimeve ndërmarrëse nuk janë realizuar. Shëndetësia është një nga dështimet më të bujshme të këtij mandati 4-vjecar që i shtohet dështimit 20-vjecar në krijimin e një sistemi të shëndetshëm shëndetësor në Shqipëri. Kjo është arsyeja që pas 22 vitesh për herë të parë në posterin e madhe elektoral të PD Sali Berisha është këshilluar të mos vendosë fytyrën e tij, sepse fytyra e tij i kujton popullit papunësinë, varfërinë dhe rrënimin e sistemit shëndetësor që nuk parandalon, që nuk kuron”, tha zoti Beqja.
Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, nga ana e tij tha se keqmenaxhimi i fondeve ka shkatërruar këtë sektor. Ai tha se fondet e dhëna nga qeveria për shëndetësinë janë mëse të mjaftueshme për të siguruar një sistem shëndetësor cilësor dhe për këtë solli si shembull eksperiencën e tij personale në krye të maternitetit të Tiranës. “Fondet e nisura për sistemin shëndetësor nga qeveria, nëse do të menaxhohen mirë, do të mbërrinin tek pacienti në mënyrë shumë herë më të mirë se sa në shumë raste sot. Kryeministri ka qenë i shqetësuar për shëndetësinë. Tekstualisht më ka thënë që jam mjek dhe kërkoj një sistem shëndetësor më të mirë për shqiptarët”, tha ai.
Ndërkohë, deputetja e PS-së e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu tha se sistemi ka dështuar krejtësisht dhe sidomos skema e sigurimeve shëndetësore, e cila sipas saj, mbulon vetëm 7 përqind të shpenzimeve në shëndetësi: “Kjo është një temë që nuk kërkon shumë ngjyrim politik. Ne s’jemi për të bërë fushatë, por për të paraqitur platformat elektorale. Do dëshiroja që zoti Halimi platformën e tij ta parashtrojë në tryezën paralmentare të shtatorit. Të gjithë ata njerëz që kanë qenë drejtues të këtij institucioni, por mbi të gjithë kryeministri është fajtori kryesor për këtë situatë. Premtimet e kryeministrit në 2009 kanë qenë të bujshme, ndërsa sot është situatë krejt tjetër. Kontributet në sigurime shëndetësore mbulojnë vetëm 7 përqind, 60 përqind mbulohen nga xhepi i shqiptarëve, 32 buxheti i shtetit. Në 18 vite janë gjithsej 470 mijë njerëz të siguruar, 1.1 mln persona që janë të pasiguruar dhe që janë në moshë pune, por që nuk kanë mundësi të përfitojnë sigurimet shëndetësore. 46 përqind e popullsisë jeton në fshat por vetëm 50 mijë fshatarë janë të vetësiguruar. Premtimi tjetër është lufta kundër korrupsionit. Mos hyjmë këtu sepse PS ka denoncuar disa herë korrupsinet në shëndetësi”, tha Spahiu.
Në marrjen e fjalës në fillimin e pjesës së dytë, zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, mbrojti arritjet e qeverisë në këtë fushë, duke vlerësuar se reformat e ndërmarra gjatë këtyre dy mandateve të fundit janë “historike”, e të parat që modernizojnë realisht këtë sektor jetësor për vendin. “Kryeministri tha (i referohet fjalimit të inagurimit të mandatit në 2009-n në Parlament, transmetuar më parë në Top-Story) shumë pak prej atyre që janë realizuar në këto vite. Sistemi shëndetësor shqiptar ka ndërmarrë reformat më të jashtëzakonshme që janë ndërmarrë ndonjëherëm në paktën në 20 vitet e fundit. Këto janë reforma tepër të guximshme, që e kanë ndryshuar faqen e sistemit dhe e kanë futur në ato linja që duhet të jetë”.
Duke folur konkretisht për modelin shëndetësor që përdoret sot në Shqipëri, në një replikë ndaj zonjës Spahia në pjesën e parë, zëvendësministri shtoi: “Shqipëria sot aplikon sistem miks, me 25% që kontribuohen nga popullsia aktive dhe 75% nga kontributet shëndetësore për popullsinë joaktive. Ndaj i kërkoj kolegëve të opozitës që të jenë më korrekt, pasi me këtë sistem sot mbulohen të gjitha shtresat, ato që kanë dhe nuk kanë të ardhura. Sot nuk gjendet asnjë person që nuk mbulohet me shërbim shëndetësor shqiptar. Që një sistem shëndetësor të jetë funksional e i suksesshëm, në thelb e në objektivin primar, duhet të ketë aksesin në këtë sistem nga qytetari, seriozitetin, modernizimin, mirëmenaxhimin e një kuadër ligjor, kuptohet korrekt, që ta bëjë të funksionojë si duhet. Në këtë kontekst, nga viti 2005, Partia Demokratike ka ndërmarrë një sërë hapash për të futur këtë sistem në kanalin e duhur, për të funksionuar si një sistem modern dhe funksional, në shërbim të qytetarit në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Në një lidhje direkte, drejtori i Spitalit Amerikan të Tiranës, Klodjan Allajbeu, komentoi raportin aktual që ekziston midis mjekësisë së ofruar nga shteti dhe ajo e institucioneve të tjera private. “Zhvillimi i sektorit privat në këto vite, me hapjen e Spitalit Amerikan dhe disa spitaleve të tjera, ka qenë një hap pozitiv në uljen e mitmarrjes në shëndetësi, pasi ka më shumë alternativa sa se sektori publik. Në rajon dhe në Shqipëri, zhvillimi i privatit dha zhvillim të të gjithë sektorit, përfshi atë publlik. Me hapjen e sektorit privat, ai jo vetëm është komplementar, por edhe konkurrues. Patjetër që del me vlerat e veta në treg dhe kjo e detyron sektorin publik që të zhvillojë veten. Përpara hapjes së sektorit privat në këto nivele, kardiokirugjia e kardiologjia nuk ishin të zhvilluara në këtë nivel as në shtet, por privati i arriti më shpejt këto zhvillime, duke imponuar këtë zhvillim edhe tek shtetërori”.
Sipas Allajbeut, nuk ka një rivalitet midis dy sektorëve. “Sektori publik i shëndetësisë është shtysë pozitive për rivalitin, nuk është e drejtë që rrënimi i publikut sjell fitime për ne. Përmirësimi i të dy aspekteve është i nevojshmi, e pacientët binden të qëndrojnë në Shqipëri, pa marrë rrugët për në botë”.
I pyetur për dy modelet e ndryshme që propozohen nga secili koalicion, Allajbeu shtoi: “Ajo që duhet fokusuar është që në modelin që është zgjedhur aktualisht, duhet menduar se si të rritet më tej efektiviteti dhe bashkëpunimi e partnertiteti i publikut me privatin, pasi nëse fokusohemi nga ana teknike, sot punohet njëkohësisht edhe me modelin Bismark dhe Universal. Modeli Bismark është më lehtë i menaxhueshëm sepse ka ISKSH e fondin sigurimeve që kanë një vetadministrim me pjesëmarrës nga kontribues. Kjo është një çështje politike, por unë mendoj se menaxhimi aktual është më i thjeshtë dhe i përshtatshëm për vendet në zhvillim. Është bërë një punë 20-vjeçare me këtë model e mendoj se do të ishte më efikase që ky model të zbatohet sa më mirë, e jo të kalohet në ndryshime të skajshme”.
Duke iu rikthyer fjalëve të zëvendësministrit Spahiu, Beqja tha: “Spot më të mirë se sa fjalët e zëvendësministrit nuk do të bëjmë dot. Për më tepër, o nga padija ose nga halli ku janë, këtu u thanë shumë të pavërteta. U tha që 25% vijnë nga kontributet dhe 75% nga buxheti, por kjo është më pak se gjysma e asaj që shpenzojnë shqiptarët dhe këtë e thotë ky dokument zyrtar i qeverisë shqiptare. Qëllimi i dokumentit, për të vlerësuar llogarinë kombëtare të buxhetit, thotë se në 2009-n, shpenzimet e shqiptarëve ishin 2.7% e totalit. U 3-4 fishua kontributi për të pasiguruarit e u vendos TVSH, çka bën që sot shpenzimet e përgjithshme të shqiptarëve për shëndetësinë të jenë 6%, një total prej 800 mln dollarësh, e nëse kontributet janë sot 64 milionë dollarë, do të thotë se kontributet mbulojnë vetëm 7% të shpenzimeve shqiptare. Edhe në modelin kontributiv që është thelbi i modelit që përdorim sot, kemi një program regesiv, se kush ka të ardhura më të larta paguan më pak. Pra, të ardhurat mbi 930 mijë lekë sot nuk taksohen për shëndetin, nëse e ke 600 e deri 930 paguan 1,7% për shëndetin, e lart nuk paguan më. Pra, kryeministri paguan tre herë ose më shumë më pak për shëndetësinë si kontribute, nga ky sistem”.
Duke u ndalur tek të siguruarit, Beqja theksoi: “Në bujqësi ka 522 mijë të punësuar në moshë pune sipas statistikave të INSTATIT, e vetëm 50 mijë janë të siguruar prej tyre. Ky dokument është i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë. Shpenzimet në shëndetësi në raport ndaj GDP-së, si në 2005 është praktikisht i njëjti nivel, ndaj siç e gjetën shëndetësinë po e lënë nga pikëpamja e shifrave, ndërsa nga pikëpamja e realitetit shumë më keq, ndërsa po vazhdojnë t’i japin shkelmat e fundit gjatë këtyre ditëve”.
“Absolusisht që nuk janë shumë gjëra perfekte dhe as me Bardhin nuk jam plotësisht dakord, por unë prandaj e kam marrë këtë detyrë, sepse qytetari nuk e meriton këtë shërbim sot. Absolutisht këtë e pranoj, edhe pse janë bërë shumë gjëra, prapë mbetemi larg. Prapë them që nuk është ajo që unë e mendoja unë shëndetësinë”, mori fjalën ministri Kosova.
“Çdo debat për shëndetësinë është shumë i vlefshëm, por problemi është a e sheh me sy elektoral për të çoroditur, me qëllim që të bësh premtime të parealizueshme, por ky është një sistem që e kanë pasojë të gjitha qeveritë me orientime e sugjerime të ekspertëve të ndryshëm. Ka vend për ndryshime dhe manaxhime. E keqja është se ka shumë ekspertë që i qajnë letrat, por kur vjen puna që këtë copë letër t’ia cosh pacientit, ky është i gjithë problemi. Puna ime është që këto mundësi që ka shteti, të realizohen 100%. Unë nuk jam kundër spitaleve private, por jam kundër që shqiptarit në nevojë t’i tregosh spitalin privat. Kjo është e papranueshme”, tha Kosova.
Përballë pyetjes së mazhorancës dhe të gjithë shikuesve, se nga do të gjendet paratë për të financuar programin universal të parashikuar nga Rilindja, zonja Spahiu deklaroi: “Sistemi që ne kërkojmë të zbatojmë nuk është i paprovuar dhe në vendet që është provuar ka qenë i suksesshëm. Për të bërë pak replikë edhe me përfaqësuesin e Spitalit Amerikan, është një sistem i suksesshëm i testuar në Irlandë, Itali, Spanjë, Britani. Ne po themi që 1 mln njerëz që sot janë në nevojë, do të jetë shteti ai që do ta mbajë barrën. Buxheti për sistemin tonë do të jetë më i vogël dhe më i efektshëm, e kjo është e provuar. Mbulimi universal rekomandohet edhe për vendet në krizë nga instancat botërore”.
Në replikë me shifrat e publikuara së fundmi nga qeveria, deputerja socialiste e Durrësit shtoi: “Vdekshmëria foshnjore nuk është njëshfirore, është zbuluar ky mashtrim ashtu si dhe shumë të tjerë. Ajo që unë këmbëngul është reforma spitalore sepse është më e prekshmja për të gjithë qytetarët e duhet të ndryshojë në mënyrë emergjente, e kjo nuk mund të ndryshojë me buxhet historik, pasi çdo spital duhet të trajtohet sipas nevoja, spitali rajonal do t’i llogarisë në mënyrë të pavarur nevojat e tij”.
Në fund të këtij “Top-Story”, dedikuar shëndetësisë, ministri Kosova përmbylli: “Në sektor ka shumë gjëra që duhen rregullar e këto po ndihen. Pikësynimet e mia janë e para, që çdo qytetar kudo që të jetë në territor, të ketë shërbimin e urgjencës. E dyta, që këtë punë që po bën stafi i ministrisë, stafi mjekësor për të ofruar më të mirën tek qytetari, kjo e mirë të maksimalizohet me të gjitha mundësitë që ka shteti, nëpërmjet menaxhimit sa më të mirë të të gjithë fondeve të shëndetësisë”.
Top Channel