Task Force hetimi për zgjedhjet

04/06/2013 00:00

Një ditë përpara se Kodi i ri Penal, që parashikon ashpërsimin e ndëshkimit për shkelësit e ligjit zgjedhor të hynte në fuqi, kryetari i opozites Edi Rama i është drejtuar me një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në letrën e dërguar pasditen e një dite më parë, kryetari i opozitës kërkon ngritjen e një Task Force për zgjedhjet.

“Kërkojme kontributin tuaj ligjor për parandalimin e ngjarjeve penale, të cilat cënojnë rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe njëkohësisht dëmtojnë rëndë procesin zgjedhor në tërësinë e tij”, i shkruan Rama Llallës.

Pas kësaj hyrje, kryetari i opozitës argumenton se po konstatohet kirjimi i problematikave që po pengojnë ushtrimin lirisht të të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe subjekteve zgjedhore, si dhe po konstatohet realizimi i veprimtarive jo ligjore që në kuptim të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përbëjnë vepra penale, e për rrjedhojë autorët e tyre duhet të ndiqen penalisht nga ana e organit që ju drejtoni, i shkruan Rama Llallës.

“Fakte të tilla si presion individual apo familjar për devijimin e votës, detyrim për të marrë pjesë në aktivitet politike, të studentëve të sistemit parauniversitar, nënpunesve të administratës publike apo dhënie e marrje premtimi për tregtimin e votës, përbëjnë jo vetëm një shqetësim serioz për cënimin e garimit të ndershëm, por përbëjnë vepra penale të cilat duhet të evidentohen dhe ndëshkohen nga ana juaj”, thuhet në letër.

Në konstatim të këtyre fakteve, duke patur në vëmendje situatën e ngarkuar, në cdo aspekt të sajin, sic thotë Edi Rama, dhe që pritshmëritë janë që të theksohet më tej gjatë ditëve në vijim, ai i drejtohet  numrit një të akuzës me kërkesën për ngritjen një Task Force, që të ketë si objekt të sajin, të vetëm, hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal.

“Shpreh besimin dhe bindjen time të plotë, se kërkesa që po ju paraqes do të vlerësohet prej jush me rëndësinë dhe emergjencën, që ajo ka dhe do të ketë si përgjigje realizimin e një pune serioze, krejtësisht të pavarur nga aktorët dhe faktorët politikë,  sikurse jeni zotuar për të bërë dhe sikurse unë personalisht dhe të gjithë shqiptarët kemi shpresën, që do të arrini të përmbushni”, shkruan Rama.

Top Channel