Salihi: Të qëndrojmë me këmbë në tokë

04/06/2013 00:00

Heroi i fitores kuqezi në Olso, Hamdi Salihi, ka ulur euforinë e krijuar në radhët e tifozerisë shqiptare, pjesa më e madhe e të cilës pretendon se fitorja e dytë ndaj Norvegjisë do të na çojë direkt në “Brazil 2014”.

“Kam lexuar në media se po të fitojmë këtë takim, do të kualifikohemi në botëror. Mendoj se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë pasi pas kësaj ndeshjeje kemi tre transferta të vështira. Duhet të harrojmë Brazilin dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”, theksoi sulmuesi shkodran.

Menaxheri i kombëtares dhe një nga golashënuesit më të mirë në historinë e përfaqësues shqiptare, Alban Bushi, ka pohuar se pavarësisht fitores së marsit të kaluar, Norvegjia mbetet një ekip shumë i fortë: “Është ndeshje shumë e rëndësishme dhe e vështirë. Norvegjia është skuadër e fortë. Publiku duhet të na ndihmojë dhe shpresoj në një rezultat pozitiv.”

Lorik Cana, Andi Lila dhe Odise Roshi do të mungojnë në këtë ndeshje për shkak të kartonave, ndërkohë që trajneri De Biazi ka grumbulluar 4 emra të rinj për këtë sfidë: Amir Abrashi, Ergys Kaçe, Vullnet Basha dhe Ilir Berisha. 

Përfaqësuesja e Shqipërisë është vizituar të martën edhe nga kryeministri Berisha, i cili pasi ka falenderuar trajnerin dhe skuadrën për ndeshjet e deritanishme ka theksuar se dita që Shqipëria të marrë pjesë në Botëror nuk është e largët.

“Unë po shihja në Afrikën e Jugut se si luajti Zvicra me 3-4 futbollistë shqiptarë dhe u gëzova. Por, natyrisht që do të gëzohem më tepër kur në të shkojmë në një Botëror dhe jam i sigurt që nuk jemi larg atij momenti”, deklaroi Berisha.

Në fund, kryeministri Berisha ka theksuar se do të jetë në stadium ditën e premte në mbështetje të kombëtares tonë e cila në rast të një fitoreje do të ketë një shpërblim nga qeveria.

Top Channel