“Punësim për të rinjtë”

04/06/2013 23:00

Punësimi, jo vetëm i të rinjve, por i gjithë shqiptarëve, është pika thelbësore e programit të LSI-së në 4 vitet e ardhshme.

Këtë ka premtuar kreu i LSI, Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi me shqiptarë të diplomuar jashtë vendit.

“Për ne, prioritet kryesor sot është cështja e punësimit. Të gjitha politikat e tjera, edhe ajo e taksave, duhet të jenë në funksion të punësimit dhe njëkohësisht rritjes ekonomike të vendit, sepse në qoftë se nuk ekziston një produkt dhe një shishe ujë, nuk mund të marrësh taksë mbi to. Nëse një njeri është pa punë, atëherë cfarë takse do t’i marrësh. Nuk mund të marrësh taksë mbi asgjë. Pra, parësore është prodhimi dhe më pas puna që duhet siguruar, që ne të kemi mundësi të rrisim edhe të ardhurat, në një mënyrë sa më të drejtë dhe sa më sociale”, tha Meta.

Meta ka sqaruar dhe pikëpamjen e tij, në lidhje me debatin për taksat mes dy forcave të mëdha politike, duke deklaruar se për të rëndësi ka vendosja e objektivave strategjike për të ardhmen, në mënyrë që të garantohet një rritje ekonomike më e lartë dhe të qëndrueshme, si rruga më e mirë për të garantuar një punësim të sigurt dhe afatgjatë.

Gjatë bisedës me studentët, Meta vlerësoi se kriza e vendeve europiane është shenjë e mirë për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj.

Meta: Prioritet bujqësia

Ilir Meta vizitoi fermerët në Lushnje, nga ku deklaroi se plani i punësimit i Lëvizjes Socialiste për Integrim nis me rimëkëmbjen dhe modernizmin e bujqësisë dhe industrisë agropërpunuese në vend.

“Ne jemi të angazhuar për të subvencionuar disa herë më shumë bujqësinë se sa deri tani, në mënyrë që të subvencionojmë të gjitha inputet që janë aq të rëndësishme për të rritur rendimentin, për të rritur prodhimin, për të garantuar një proces të tërë zinxhir të suksesshëm, i cili e lidh më shpejt dhe në mënyrë të sigurt prodhimin me tregun”, tha Meta.

Kreu i LSI-së premtoi përjashtim nga taksat për pesë vitet e para të aktivitetit për fermat që operojnë si entitet i vetëm dhe serat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA