PS: Heqim taksën për ushqimet bazë

04/06/2013 00:00

Nga Maliqi, ku prezantoi kandidatët socialistë, Edi Rama akuzoi
Kryeministrin Sali Berisha se është duke iu shmangur fakteve, siç është
rritja e çmimeve për produktet bazë, apo borxhet e listave që sipas tij
kanë kapur shifrën 150 milionë euro, duke shpifur për programin e
opozitës.

“Saliu thotë ç’është kjo si do hiqen taksat për 95% të shqiptarëve. Jo taksat nuk do hiqen, por do ulen patjetër për 95% të shqiptarëve. Do të ulen taksat për ata që nuk kanë bukë për të ngrenë, patjetër do të ulen taksat për ata që jetojnë me punën, me tokën dhe rropaten nga 16 orë dhe duhet ta paguajnë naftën, sic paguan naftën për mercedesin Kryeministri”, tha Rama.

Duke përdorur termin “gjyshi me antiplumb” për Kryeministrin Berisha, Rama tha se keqqeverisja e tij e ka kthyer Shqipërinë, në atdheun e varfërisë dhe shpresave të vrara, sikurse edhe në Maliq, ku këneta ka nisur ngrejë përsëri kurrizin e saj.

“Këneta e famshme që ne kur ishim të vegjël e dëgjonim si një përrallë të kohëve të lashta, sot është kthyer dhe cdo ditë nxjerr kurrizin e saj, duke u shtrirë nëpër fushën e begatë të Maliqit. Zgjedhja në 23 qershor është shumë e qartë. Kush e do pushtetin në qafë le ta mbajë gjyshin me antiplumb, ndërsa kushdo një qeveri në krah, për ta patur mbështetje në fshat dhe në qytet duhet të votojë Partinë Socialiste”, tha Rama.

Top Channel