Miami, në finalen e NBA me San Antonio-n

04/06/2013 05:30

Kampionët në fuqi në basketbollin amerikan, Miami Heat, kanë shpartalluar rivalët e Indiana Pacers, duke u shpallur sërish fitues të Konferencës së Lindjes dhe duke siguruar biletën për në finalen e madhe të NBA, pas fitores 99-76 në “American Airlines Arena” të Florida-s.

LeBron James ka dominuar sfidën me 32 pikë të realizuara, duke treguar edhe njëherë se është lider i padiskutueshëm i Heat, ndërsa Dwyane Wade ka zhvilluar ndeshjen e tij më të mirë të “play-off”-eve të këtij viti, me 21 pikë dhe 9 topa në tabelë, duke udhëhequr Miami Heat drejt finales së tretë radhazi në NBA.

Ndaj Indiana-s u desh të luhej ndeshja e 7-të ditën e hënë (e martë në Shqipëri), pasi seritë e sfidave të tyre ishin barazuar në 3-3, me nga një fitore të secilit ekip në parketin kundërshtar.

Kampionët në fuqi, pas zhvillimit të një sezoni të rregullt të mrekullueshëm, kishin arritur të siguronin superioritetin e ndeshjeve në “AAA”, përgjatë gjithë “play-off”-eve të këtij sezoni.

Heat do të përballen me San Antonio Spurs tashmë në finalen e madhe të NBA, për këtë sezon, teksa këta të fundit u shpallën kampionë të Konferencës së Perëndimit disa ditë më parë, duke mposhtur 4-0 Memphis Grizzlies.

Sfida e parë Miami-San Antonio do të zhvillohet sërish në “American Airlines Arena”, të enjten në mbrëmje (e premte në Shqipëri), më datë 7 qershor.

Top Channel