Kreu i delegacionit parlamentar për Ballkanin, Eduard Kukan, deklaron se funksionimi jo i plotë i KQZ-së është një shqetësim i madh për ndërkombëtarët. Ai uron që palët të gjejnë zgjidhje, siç ndodhi me 3 ligjet, por thotë se koha po mbaron.
Në një intervistë për Top Channel, ai thekson se për marrjen e statusit,
veç zgjedhjeve të 23 qershorit, duhen edhe rezultate në luftën ndaj
krimit dhe korrupsionit, si edhe për funksionimin e institucioneve. Ndaj
në raportin e komisionit do të nënvizohen çfarë është arritur dhe çfarë
jo.
TCH: Z. Kukan, tani që Parlamenti shqiptar votoi 2 ligjet dhe ndryshoi rregulloren, çfarë qëndron mes Shqipërisë dhe statusit kandidat për në BE?
“Pa dyshim që miratimi i 3 ligjeve ishte një hap i rëndësishëm, të gjithë e vlerësojnë. Është një provë, që politikanët shqiptarë mund të punojnë dhe të arrijnë vendime me kompromis. Mbetet për t’u parë, nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të marrë statusin kandidat. Mendoj se çështja më e saktë është të studiohen konkluzionet e Këshillit Europian të dhjetorit. Aty do ta gjeni shumë qartë, se çfarë kërkohet nga Shqipëria: miratimi i 3 ligjeve; progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me disa rezultate në këtë fushë; dhe funksionimi i institucioneve demokratike, që ka të bëjë me zgjedhjet, përgatitjen e tyre dhe gjithçka tjetër. Pra, është shumë mirë, shumë e rëndësishme, që 3 ligjet u miratuan, por ka gjëra të tjera, që unë mendoj se do të pasqyrohen në raportin e Komisionit”, deklaroi Eduard Kukan, kreu i delegacionit të PE për Ballkanin.
TCH: Siç e përmendët, Komisioni duhet t’i raportojë vendeve anëtare edhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. A prisni rezultate konkrete, me gjithë energjitë dhe kohën e harxhuar me fushatën zgjedhore?
“Mendoj se Komisioni do të përpilojë raportin në mënyrë shumë objektive. Do të jetë një vlerësim, për atë që është arritur me të vëretë dhe për çfarë nuk është arritur. Në këtë kuptim, nëse më lejohet, dua të them se ne jemi të gjithë të shqetësuar për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili është pjesë e ‘funksionimit të institucioneve demokratike’. Nëse vijon të qëndrojë në gjendjen që është, unë e shoh si një problem”, tha Kukan.
TCH: Pse shihni problem aty?
“Sepse është e mundur, që të argumentohet se është ligjor. Pra, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i kryejë detyrat kështu siç është tani, pa tre anëtarët që nuk janë aty. Pra është ligjore, por nuk është në regull. Duhet të jetë një institucion i pavarur, që duhet të marrë vendime objektive. Dhe, kjo është pikëpyetja sot, se a mund ta bëjë ky Komision këtë gjë? Pra, për këtë jemi të shqetësuar, madje edhe Komisoni e ka shprehur shqetësimin e tij, se diçka duhet të bëhet edhe për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi Kukan.
TCH: Dhe, a mendoni se ka mjaftueshëm kohë për ta bërë një gjë të tillë?
“Kjo i takon politikanëve shqiptarë. Miratimi i 3 ligjeve po zvarritej prej një kohe të gjatë dhe krejt papritur parlamenti e votoi. Ka ende kohë, dhe unë e di se, për të marrë vendime të tilla, nevojiten disa bisedime dhe përgatitje politike, por koha po mbaron”, u shpreh më tej Kukan.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel