
Kryeministri Berisha u ndal në Divjakë dhe Rrogozhinë në dy mitingjet e radhës në kuadër të fushatës elektorale, ku kërkoi votën për Partinë Demokratike si alternativë për Shqipërinë Europian.
Në Divjakë kryeministri premtoi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë fermerët në nxitjen e prodhimit të tyre. Ai tha se investimet do të vijojnë në infrastrukturë, ndërsa shtoi se objektivi madhor në mandatin e ardhshëm është krijimi i 250 mijë vendeve të reja të punës.
“Në pak vite në kemi arritur ndryshime të mëdha e historike. Sot jemi anëtarë të NATO-s dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Sot banorët e Divjakës eksportojnë rreth 85 përqind të produkteve të tyre. Në këto pak vite kemi ndërtuar dhe rindërtuar më shumë se 10 mijë km rrugë, kemi ndërtuar dhe rindërtuar më shumë se 1300 shkolla e 400 qendra shëndetësore e spitale dhe në 4 vitet që vijnë objektivi ynë madhor është krijimi i 250 mijë vende të reja pune”, tha Berisha.
Në Rrogozhinë, kryeministri sulmoi Ramën dhe propozimin e tij për taksat. Ai tha se heqja e taksës mbi vlerën e shtuar për produktet bujqësore rrënon prodhimin vendas. Berisha e quajti këtë taksë si mbrojtëse të prodhimit vendas nga ai i huaj.
“Taksa progresive është shkatërrimi përfundimtar i mundit dhe i djersës suaj. Taksa mbi vlerën e shtuar për produktet tuaja, është mbrojtësja e prodhimeve tuaja sepse nëse ajo hiqet, prodhuesit e mëdhenj botërorë do të mund të sjellin produktet e tyre në Shqipëri 20 përqind më lirë. Vendet e BE-së do të mund të sjellin me kontenierë qumështin dhe djathin, vezët, qumështi pa TVSH, Kanadaja do sjellë grurin pa TVSH dhe prodhimi juaj do të mbetet në shtëpi”, tha Berisha.
Top Channel