Rusia dhe Bashkimi Europian nisin bisedimet dy ditore, të lëna në hije nga mosmarrëveshjet e mbështetjes së fuqishme, që BE-ja po i bën opozitës siriane, dhe përkrahjes së vazhdueshme të Moskës për presidentin Bashar al-Assad.
Presidenti rus, Vladimir Putin, organizoi një darkë përpara negociatave, që do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së martë.
Në krye të axhendës, së samitit dy ditor në Ekaterinburg, do të jetë padyshim heqja e embargos së armëve për opozitën siriane, një lëvizje që u ka hapur rrugën vendeve anëtare të furnizojnë me armë kundërshtarët e regjimit të Bashar al-Assadit.
Ngërçi i krijuar, pas vendimit të bllokut dhe kundërpërgjigjes së menjëhershme të Moskës, me dërgimin e raketave anti-ajrore S-300 në Siri, vjen në një kohë, kur Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të organizojnë një konferencë ndërkombëtare paqeje, e cila do të ulë së bashku në tryezë qeverinë siriane dhe opozitën, që kërkon rrëzimin e regjimit, me shprese gjetjen e nje zgjidhjeje politike të konfliktit dy-vjeçar.
Numri dy i diplomacisë ruse, Sergei Ryabkov, deklaroi së fundi se Shtetet e Bashkuara nuk po i bëjnë trysni sa duhet opozitës siriane, për të marrë pjesë në bisedimet ndërkombëtare dhe për të hequr dorë nga kërkesa për largimin e Assadit.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Brukselit kanë qenë të vakta, që kur Putin u ngjit në pushtet në vitin 2000, me misionin “të rrisë influencën e Rusisë” dhe vendosmërinë “të mbyllë njërin sy përballë çdo kritike të perëndimit” për politikat e ndjekura prej tij.
Top Channel