Dekreti i presidentit, që zgjedhjet në tre njësi vendore, drejtuesit aktualë të të cilave kanë dhënë dorëheqjen për shkak të kandidimit si deputet, të mbahen në datën 23 qershor, ka vënë në vështirësi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ky dekret, që përcaktoi se votuesit e Bulqizës, njësisë bashkiake numër 1 në Tiranë dhe komunës Thumane në Krujë do të votojnë në të njëjtën ditë për parlamentin e ri dhe për të zgjedhur drejtuesit e rinj vendorë, ndër të tjera nuk i lë afat as KQZ-së, qoftë edhe për të printuar fletët e votimit.

Për opozitën, publikimi i dekretit të kësaj date nga presidenti ditën e premte më 31 maj shoqërohet me paqartësinë e respektimit të afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, në nenin 10 të tij.

E kontaktuar nga Top Channel, Presidenca nuk u përgjigj se kur është njoftuar për dorëheqjen e drejtuesve vendorë nga Këshilli i Ministrave dhe nëse ka zbatuar afatin 48-ditor që kodi i përcakton presidentit për të dekretuar datën e zgjedhjeve.

Kjo bën që sipas llogarive të ligjit, kandidatëve iu mbeten vetëm shtatë ditë fushatë, duke krijuar preçedentin e fushatës zgjedhore më të shkurtër në historinë e zgjedhjeve shqiptare.

Genc Gjonçaj, PS: Kur është njoftuar presidenti?

Lefteri Lleshi, kryetare e KQZ: S’është detyra jonë ta dimë këtë.

Gjonçaj: Duhet ta dimë. Si iu është lënë kaq afat kandidatëve? Kur është bërë kjo ndonjëherë?

Lleshi: Pavarësisht afatit, kandidatët janë në kushte të barabarta.

Mes debatesh KQZ miratoi aktin për “pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radio/televizionet private të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”.

Ndërsa përfaqësuesi i PS kërkoi që KQZ të miratojë një udhëzim ku mediave t’u lihet e drejta e refuzimit të materialeve të përpunuara, vendimi i marrë nga katër anëtarët e rrëzoi këtë propozim.

Top Channel