Prezantohet Neymar: Te Barça fitoj gjithçka

03/06/2013 20:10

Në ceremoni madhështore, e nisur me një konferencë për shtyp dhe përfunduar përpara dhjetëra mijëra tifozëve në “Camp Nou”, Neymar u prezantua zyrtarisht si futbollist i Barcelonës.

Braziliani, i cili hyn në historinë e futbollit si një prej blerjeve më të shtrenjta ndonjëherë, pasi i kushtoi katalanasve 72 milionë euro, pranoi që Messi ishte një prej shtysave të tij kryesore për kalimin në “Camp Nou”.

Kalimi në Europë –
“Do të jetë një ndryshim për mua, por jam i sigurt që do të përshtatem shumë shpejt”, tha Neymar në konferencë për shtyp, mbi transferimin e tij. “Dua t’i dhuroj sa më shpejt gëzime sa më të mëdha atyre që besuan tek unë, kam besim që do të bëj gjëra të mëdha”.

Yjet e Barçës – “Për mua do të jetë një sfidë dhe kënaqësi e veçantë që të stërvitem përkrah futbollistëve më të mirë të botës, e njëkohësisht ky është edhe një privilegj, pasi vij këtu për të fituar çdo titull të mundshëm”.

Alves dhe Messi – “Dani Alves gjithmonë më ka folur shumë mirë për klubin dhe Messi ishte një prej arsyeve që më shtynë të zgjidhja Barcelonën. Është e lehtë të luash përkrah lojtarit më të mirë në botë dhe më duket e pabesueshme, që do të jem në gjendje t’i jap ndihmën time në fushë gjatë sezonit të ri”, tha Neymar, i pyetur mbi emra konkretë.


Neymar prezantohet perpara tifozeve te entuziasmuar ne “Camp Nou”

Ronaldo – Gazetarëve spanjollë nuk mund t’i shpëtonte “batuta” e parë mbi Realin e Madridit dhe yllin më të madh të kundërshtarëve. “Cristiano është një futbollist i madh. Një prej më të mëdhenjve në botë dhe një idhull nga i cili frymëzohem”, komentoi 22-vjeçari Neymar, duke iu përgjigjur pa dashur të hyjë në polemika, pyetjes për Ronaldon.

Top Channel