
Nga Sukthi, kryeministri Berisha bëri thirrje për të mbështetur këtë forcë politike, si alternativa e vetme që mund të garantojë – siç tha ai – vijueshmërinë në rrugën e ndryshimit të Shqipërisë.
“Shqipëria po përfundon hartën dixhitale të tokës, që është edhe harta më e saktë e saj dhe për çdo shqiptar do të marrin fund andrallat e mbivendosjeve. Do të japim përgjigjen përfundimtare dhe jemi zotuar të sjellim zyrën e hipotekës pranë çdo komune e bashkie të vendit”, tha Berisha.
Në mitingun e Vorës, zoti Berisha sulmoi programin dhe reformën fiskale të premtuar nga socialistët, e cila – sipas tij – sjell thjesht rrënim ekonomik për shqiptarët.
“Në çdo vend të lirë të botës, ekonomia nuk zhvillohet nga lart-poshtë, por e kundërta, për shkak të klasës së mesme, e cila gjeneron mbi 90% të të ardhurave në çdo vend. Të mendosh diçka të tillë, tregon vetëm e vetëm se përpiqesh të mbjellësh urrejtjen klasore ndaj të pasurve. Madje përpiqesh e beson se, duke rrënuar të pasurit, mund të ndihmosh të varfërit. Në të vërtetë, vetëm i heq nga puna ata dhe i varfëron më shumë”, shtoi Berisha.
Duke ironizuar kundërshtarët politik, kryeministri Berisha theksoi se 23 qershori do të sjellë një mandat të tretë për qeverinë aktuale.
“Alternativa jonë bazohet në rritjen e mëtejshme të rrogave dhe pensioneve, duke filluar nga ky vit. Bazohet në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndaj dhe ju ftoj, të gjithë së bashku, më 23 qershor të votojmë numrin 44, të votojmë Vorën e zhvilluar, Tiranën e Shqipërinë e zhvilluar. Votojmë Partinë Demokratike, votojmë të ardhmen tonë”, u shpreh Berisha.
Më pas, kryeministri ishte në Paskuqan.
Top Channel