Mou tek Chelsea për 4 vite

03/06/2013 00:00

Jose Mourinho rikthehet tek Chelsea-t. Portugezi 50-vjeçar ndodhet në Londër ku pritet që të hënën e ardhshme të prezantohet publikisht në krye të “Bluve” të Londrës, aventura e tij e dytë me këtë skuadër.

Lajmi u njoftua një ditë më parë nga faqja zyrtare e Premier Ligës dhe megjithëse u cilësua si gafë, gjithcka do të vërtetohej pak orë më vonë. Ishte vetë drejtori ekzekutiv i Chelsea-t, Ron Gourlay ai që tha se të gjithë mezi po presin që të punojnë me Mourinho-n.

“Ai ishte dhe mbetet një nga figurat më popullore në klub dhe të gjithë mezi po presin që të nisin punën me të sërish”, tha Gourlay.

Megjithëse ende nuk dihet zyrtarisht, mësohet se portugezi ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë atë të lidhur për 4 vite në krye të skuadrës londineze dhe nga e cila do të përfitojë 10 milion euro në sezon.

Sipas kontratës, Mou ka kërkuar që t’i bashkohen edhe tre ndihmësit, Rui Faria, Silvino Louro dhe Jose Morais. Portugezi, që mbylli një sezon të dështuar në krye të Realit të Madridit, do të zëvendësojë Rafael Benitez në krye të Chelsea-t.

Kjo është aventura e dytë e “Special One” në krye të skuadrës së Abramovic. Në të parën ai fitoi dy herë kampionatin, një kupë FA dhe dy kupa lige, megjithatë dështoi të sigurojë trofeun e Ligës së Kampioneve.

Ky ishte edhe shkaku kryesor i ftohjes së tij me presidentin  Chelsea-t, Roman Abramovic që coi në vendimin Mou për t’u dorëhequr, megjithëse në kontratë i kishin mbetur edhe 3 vite të tjera.

Top Channel