Mediu: Të vazhdojmë rrugën e Europës

03/06/2013 00:00

Fatmir Mediu vijoi takimet elektorale në Bashkinë e Kamzës, ku prezantoi kandidatin për deputet në Qarkun e Tiranës, Ylli Shehu.

“Data 23 qershor është dita e madhe jo për të vazhduar 4 vjet të tjera qeverisjes, por për të vazhduar, realizuar ëndrrën tonë europiane. Në emër të besimit në Zot, në emër të familjes, në emër të kombit, në emër të dashurisë njerëzore ju ftoj ju të votoni Partinë Republikane”, tha Mediu.

Ruçi: PD shkatërroi fshatin

Në një takim me fermerë në komunat Greshicë e Kutë në Fier, Gramoz Ruci deklaroi se në tetë vite të qeverisjes së djathtë është parë një rritje progresive e kostos së inputeve bujqësore.

“Një hektar plugim është trefishuar, një hektar korrje është trefishuar, e dini pse? Sepse është tregishuar cmimi i naftës. Ti paguan për kombajnën, për traktorin, për zetorin, aq sa paguhet për automjetet”, tha Ruçi.

Kryemadhi: Më shumë vëmendje për Lezhën

Nga Komuna Zejmen, kandidatja për deputete e LSI Monika Kryemadhi tha se në Lezhë ndjehet mungesa e dorës së shtetit dhe se nevojitet një ritëm tjetër.

“Më vjen keq që kur ecim nëpër rrugët e komunave apo të fshatrave, por edhe në qytet brenda, ndihet mungesa e dorës së shtetit. Sepse ti shikon që ka shtëpi, lokale, investime shumë të mëdha që i kanë bërë njerëzit vetë, por kur shikon ato investimet publike diferenca midis asaj midis çka bëjnë njerëzit me të ardhurat e tyre dhe asaj çka bën shteti është shumë e vogël”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi tha se LSI ka një plan të qartë për punësimin ndërsa vuri theksin tek mundësitë e Lezhës për zhvillimin e turizmit.

Ahmetaj: Luftë varfërisë

Arben Ahmetaj, kandidati socialist për qarkun e Gjirokastrës, gjatë takimit me banorë të lagjes së tij të lindjes ka kërkuar mbështetjen për t’i kthyer, siç është shprehur, ai dinjitetin qytetit. Kandidati socialist ka kërkuar të njohë nga afër shqetësimet e këtij komuniteti.

“Përgjegjësia jonë, përgjegjësia ime, përgjegjësia e kandidatëve është që ne t’i kthejmë dinjitetin këtij qyteti së bashku me ju, në mënyrë që nesër të krenohemi sic krenoheshim dikur”, tha Ahmetaj.

Milo: Qeveria braktisi Pezën

Paskal Milo ishte në Komunën e Pezës në Tiranë ku akuzoi qeverinë Berisha për mungesën e vëmendjes ndaj kësaj zone.

“Ka munguar vetëm vullneti i kësaj qeverie për të mbështetur Pezën dhe pezakët, ka munguar me dashje sepse Peza për ta nuk simbolizon ata cka ata do të dëshironin. Qeveria jonë e ardhshme do të rikthejë padyshim vëmendjen tek Peza”, tha Milo.

Milo tha se qeveria e majtë do të mbështesë fermerët përmes projekteve konkrete si kredi, ulje e çmimit te naftës etj.       

Top Channel