Ruçi: Nafta, pasuri për qytetarët

02/06/2013 00:00

Në një takim në Komunën Fratar, kryesuesi i listës për deputetë i Partisë Socialsite në Qarkun e Fierit, Gramoz  Ruçi u ka premtuar qytetarëve  fierakë  se do kthejë  naftën për interesat e qytetarëve dhe jo sic ka ndodhur deri më tani për interesa të qeveritarëve.

“Nafta e Mallakastrës dhe e Fierit ka ikur në drejtim të paditur, ja pse them pse s’duhet të votojmë si tifozë por si qytetarë. Ne do ta kthejmë naftën për interesa të qytetarëve shqiptarë dhe jo të hajdutëve qeveritarë”, tha Ruçi.

Mediu fushatë në Tiranë

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është  takuar me qytetarët e Tiranës në njësinë bashkiake numer tre, ku ka theksuar edhe njëherë moton e republikaneve në mbrojtje të pronës private.

“Ne republikanët cështjen e pronës private nuk e kemi parë si cështje politike, por si cështje e së drejtës sepse jetën dhe lirinë na e ka falur Zoti, por me pronën private të ndërtojmë mirëqënien tonë. Jeta, liria dhe prona janë të drejta hyjnore që nuk mund t’i shkelë asnjë autoritet politik, asnjë shtet dhe asnjë parti”, tha Mediu.

Idrizi në Pogradec dhe Devoll

Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi është ndalur në qytetin e Pogradecit ku në bashkëbisedim me elektoratin e tij atje ka vënë theksin tek të rinjtë, punësimi dhe arsimimin e tyre. Respekti për veten, për dinjitetin tonë, tha Idrizi fillon nga rinia.

Pas Pogradecit kreu i PDIU-së ka zhvilluar një takim elektoral në Devoll të Korçës ku ka kërkuar të votojnë nr.50 i cili i përket subjektit që ai drejton.

“Votoni numrin 50, votoni PDIU, votoni që të keni një devolliun tuaj përfaqësues në parlamentin e Shqipërisë”, tha Idrizi.

Milo: Prioritet bujqësia dhe turizmi

Gjatë turit të tij elektoral kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo është ndalur në Komunën Shëngjergj të Tiranës ku ka premtuar mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit.

“Detyra jonë si opozitë sot dhe në qeveri nesër është pikërisht kjo që t’ju mbështesim me programe zhvillimi në tre fusha kryesore, në turizëm, në blegtori dhe në mbështetje përmes lehtësimit të punëve tuaja në bujqësi”, tha Milo.

Kongresi i Aleancës Kuqezi

Simpatizantë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë janë mbledhur në Kongresin Mbarëkombëtar të Aleancës Kuqezi, zhvilluar në Pallatin e Kongreseve. Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu sulmoi liderët e dy forcave më të mëdha politike duke theksuar se kuqezinjtë janë për një Shqipëri etnike.

“Dy vite më parë ne lindëm me zjarrin e luftës për pushtet ku njërit s’i ikej dhe tjetrit si pritej dhe tashmë vijmë këtu pas 2 vjetësh si një ideal për të mbrojtur kauzën e bashkimit kombëtar nga vasaliteti i diplomacisë greke dhe serbe dhe për të ngjallur shpresën pas cerek-shekulli për të përmbysur regjimin politik të mafias politike të shtetasit Berisha”, tha Spahiu.

Balli Kombëtar në Shkodër

Në një takim elektoral në qytetin e Shkodrës kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi  u kujtoi shkodranëve se qyteti i tyre e ka ndjerë më tepër persekutimin e regjimit komunist ndaj i kërkoi  ta votojnë atë në 23 qershor.

“Balli Kombëtar Demokrat përfaqëson cdo demokrat që regjimi diktatorial i ka sjellë histori të hidhura, lotë të heshtur në familjen e tij, në jetën e tij. Duhet të informojmë njerëzit, duhet t’i bëjmë ata të vetëdijshëm, cfarë përfaqësojmë ne? Ku duam të shkojmë ne? Kush është vizioni ynë? Kush janë interesat që ne kërkojmë të mbrojmë për ta?”, tha zoti Roshi.

Aleanca Popullore prezanton kandidatët

Partia Aleanca Popullore prezantoi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari i saj Artur Dojaka tha se cështja e çamëve do të shndërrohet tashmë në cështje të shtetit shqiptar.

“Aleanca Popullore është ajo parti politike e cila në themel të saj ka mbrojtjen dhe promovimin e cështjes kombëtare. Të zhgënjyer, të rrezikuar nga vorbullat politike në të cilat disa rrugë-humbur e kanë futur sot cështjen çame, i morëm tashmë vetë në dorë fatet tona”, deklaroi Dojaka.

Nisin punimet në Kinostudio

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rikualifkimin urban në zonën e Kinostudios. Kryebashkiaku Basha tha se me miratimin e planit të ri do të ndërhyhet në 30 blloqe të tjera banimi  me një investim prej 80 milion euro.

“Me 13 mijë metra katrorë asfalt, mbi 1 mijë metër katrorë trotuare dhe 16 mijë metra gjelbërim do të përfundojë ky projekt që përurojmë sot i buxhetuar tërësisht me fondet e Bashkisë për vitin 2013”, tha Basha.

Top Channel