Ilir Yzeiri – Suksesi që arriti Elhaida Dani do të mbahet mend gjatë dhe do të kujtohet si shenjë e një talenti të madh e të sigurt.

Elhaida Dani fitoi një konkurs të talenteve të zërave të bukur. Pra, për vitin 2013, ajo u shpall zëri më i bukur, më i mirë, më i magjishëm, në Itali. Komentet në Shqipëri ishin nga më të ndryshmet. Dikush e krahasonte atë me të talentuar të tjerë nëpër botë dhe përmendte edhe ndonjë emër pedagogu të zakonshëm në Europë si ata që ka me dhjetëra, në mos me qindra. Se ç’hynte Elhaida këtu, vështirë të kuptohet. Relativizimi i suksesit të Elhaidës duke e barabitur me të tjerë shqiptarë të suksesshëm nuk e zbeh dot arritjen e saj, ashtu sikundër nuk mund ta privatizojë atë sukses asnjë segment okult i politikës shqiptare. Unë do të doja ta vështroja ndryshe suksesin e Elhaidës. Elhaida fitoi në Itali duke shkuar nga Shqipëria. Në njëfarë mënyre, ajo ishte përgatitur këtu, e kishte kultivuar talentin e saj këtu dhe konkurroi në Itali duke i befasuar të gjithë me zërin, ndjeshmërinë dhe nivelin e lartë të interpretimit. Po nga cila shkollë është përgatitur Elhaida?

Ajo është rritur në Shkodër dhe, siç thotë vetë, prindërit e kanë ndihmuar shumë. Ndërkaq, unë do të shtoja edhe diçka tjetër. Elhaida, në njëfarë mënyre, është produkt i ëndrrës së Dritan Hoxhës. Pse? Sepse “Top Channel”-i që kur u krijua, kishte si pjesë më të rëndësishme të programacionit muzikën dhe të rinjtë. “Top Fest”-i i famshëm apo vërshimi i të rinjve në studiot e “Top Channel”-it te Piramida u kthye në një nga ngjarjet më të bujshme të Shqipërisë. Me ëndrrën e tij për të ndihmuar të rinjtë, për të përgatitur rininë e bukur shqiptare, Dritan Hoxha e bëri televizionin e tij pasqyrën ku të rinjtë, nga të katër anët e Shqipërisë dhe pak më vonë nga të katër anët e trojeve shqiptare, u derdhën në skenat e “Top”-it me zërat e tyre të bukur, me grupet muzikore të gjithfarëllojshme. Çdo i ri që ndiente se kishte talent për të kënduar, se kishte zë të bukur dhe dëshirë, ai, kudo që të ndodhej, në Gjakovë e në Shkodër, në Sarandë apo në Tetovë, do të vinte në studiot e “Top”-it dhe aty do të promovohej si këngëtar.

Edhe Elhaida Dani është produkt i këtij zhvillimi, i kësaj atmosfere. Kritika italiane e ka përmendur me respekt këtë fakt, që ajo ishte fituese më parë e një edicioni shumë serioz e cilësor që zhvillohet në Shqipëri dhe që është “Top Fest”-i. Natyrisht, Elhaida është një talent i rrallë dhe po të mos kishte ato të dhëna që ajo ka, nuk do të kishte arritur atë sukses që arriti. Mirëpo, fenomenologjia e Elhaidës ka dhe një anë tjetër. Ajo nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër, se suksesi i saj u realizua në një nga vendet që ka muzikën më të bukur në botë, me artistë që kanë hyrë në fondin e artë të muzikës botërore. Ricardo Cocciante është një nga mitet e kohës sonë. Një nga ariet e tij të operës popullore “Notre Dame de Paris” është futur në listën e 100 këngëve më të bukura të shekullit. Të fitosh në një konkurs të tillë dhe të këndosh si e barabartë me një personalitet të tillë, nuk ndodh shpesh. Fenomenologjia e Elhaidës ka dhe një anë tjetër të trishtë.

Elhaida na tregoi se sa të padenjë e kemi jetën kulturore në Shqipëri. Vetëm një investim si ai që bën “Top Channel” nuk mjafton. Te ne po vdes teatri, po mbaron filmi, shkruhet shumë keq dhe botohet shumë pak letërsi e mirë. Galeritë e pikturave thuajse janë bosh. Vendi është zhytur në një mediokritet të llahtarshëm. Elhaida na tregoi se është urgjente që të investohet në kulturë e në sport. Ne kishim një model socialist të zhvillimit të kulturës që kishte në thelb edukimin e njeriut të ri me letërsinë e partisë dhe me artin e partisë. Por komunistët i merrnin punët seriozisht, se mendonin që do të rrinin gjithë jetën në pushtet. Ata ngritën në çdo qytet të madh shkolla muzike, teatro e estrada, ngritën në çdo fshat vatra kulture.

Sot gjithçka është shkatërruar dhe karikatura e komunistëve që ka ardhur në pushtet sot ka hequr dorë nga përhapja e kulturës dhe nxitja e saj. Gjithçka i është lënë tregut dhe televizioneve. Kompani të ndryshme financojnë miliona euro programe nganjëherë të lodhshme dhe pa asnjë peshë në jetën kulturore, ndërsa shteti është i pafuqishëm. Qeveria e re që do të krijohet pas 23 qershorit, do të duhet të mbajë në vështrim një fakt: gjatë fushatës elektorale për këto zgjedhje, një vajzë me emrin Elhaida Dani na shkundi të gjithëve dhe na tha se pa kulturë, një vend është i vdekur. Ndaj Elhaida meriton të jetë ikona e zgjimit tonë kulturor në fund të këtij tranzicioni të gjatë e të lodhshëm. Të lumtë, Elhaida!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA