
Duke kërkuar votën për të majtën në Sarandë, kreu i PS-së, Edi Rama, u shpreh se në 23 qershor duhet votuar për t’i dhënë fund epërsisë së krimit që po mbyt Shqipërinë.
Nëse e mban lapsin, tha rama, tek 29 dhe vë një kryq në atë kuti, do të thotë që ke hequr taksën e biznesit të vogël dhe gjysmën e tatimit mbi fitimin: “Ta dinë mirë të gjithë ata që sot jetojnë me një biznes të vogël dhe që kanë teserën e Partisë Demokratike në xhep, apo që i thonë vetes të djathtë, se vota për Partinë Demokratike është një votë për të mbajtur në punë Saliun, por për të lënë pa punë ata dhe gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që vota për Partinë Socialiste është një votë për ta pushuar nga puna gjyshin me antiplumb dhe për të hapur rrugën e punësimit jo vetëm për socialistët, por për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.
Ne do të garantojmë shëndetësinë falas për të gjithë shqiptarët.”
Rama u shpreh se vendi është në krizë dhe ka akuzuar si të vetmin përgjegjës për këtë kryeministrin Berisha: “Ne zotohemi që atë që themi ta bëjmë dhe të mos themi atë që nuk bëjmë dot. Saliu i tha kavajasve se kanë bërë shumë për demokracinë dhe do i sillte detin në Kavajë. Deti është aty ku ishte, ndërsa Shqipëria është më keq se sa ishte. Kavaja, ashtu si gjithë Shqipëria, më 23 qershor do të marrë vendimin për të pushuar nga puna këtë kryeministër që la të gjithë Shqipërinë pa punë.”
Top Channel