Përballja me Norvegjinë

01/06/2013 20:20

Vazhdon përgatitja për ndeshjen e 7 qershorit kundër Norvegjisë dhe në këtë fazë, ditën e shtunë trajneri De Biasi ka vendosur të bëjë një ndeshje kontrolli me përfaqësuesen U-21 të Skëndër Gegës, që gjithashtu po përgatitet në Durrës për ndeshjen që luan në të njëjtën datë përball Hungarisë, për eliminatoret e Kampionatit Europian.

Në këtë ndeshje kontrolli, e cila ka përfunduar me rezultatin 4-0, Bogdani dhe Bulku kanë dalë me këmbë të fashuar, por gjithsesi duket se bëhet fjalë për dëmtime të lehta e pa probleme për De Biasin.

Ndërkohë, përpara ditës pushim të këtij grumbullimi, në konferencën për shtyp janë paraqitur dy mbrojtësat kuqezi, Armend Dallku dhe Admir Teli.

Sigurisht, problemet dhe paqartësitë më të mëdha për ta janë pikërisht për repartin e pasëm, ku mungojnë dy lojtarë kryesorë si Lorik Cana dhe Andi Lila.

“Ne do të bëjmë maksimumin me të gjithë futbollistët që kemi, por Shqipëria do t’i ndiejë mungesat, pasi ne kaq futbollistë kemi, nuk kemi 40 e ca, që të mund t’i zëvendësojmë. Megjithatë, ne do të bëjmë maksimumin që të dalim me rezultat pozitiv, pavarësisht nga zgjedhjet që do të bëjë trajneri, të lojtarëve që do të nisin titullarë”, deklaroi Dallku.

“Kjo është një ndeshje në të cilën hyjmë për fitore dhe jo barazim, e gjithsesi nuk do e merrja këtë si ndeshjen e vetme të cilën duhet të fitojmë”, deklaroi Teli.

Ditën e hënë pritet që ekipit kombëtar t’i bashkohen edhe 8 lojtarë të tjerë, mes tyre priten edhe disa emra të rinj që me shumë mundësi do të debutojnë në ndeshjen përballë Norvegjisë në “Qemal Stafa”, më 7 qershor.

Top Channel