
Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer çështjes së punësimit. Duke
folur në një tubim në Bashkinë e Belshit në zonën e Dumresë, Kryeministri renditi bujqësinë, turizmin dhe energjitikën si sektorët
nga ku do të krijohet edhe numri më i madh i vendeve të reja të punës.
Berisha akuzoi Ramen se me bllokimin që i bëri statusit, pengoi investimin në vend të miliona eurove.
“Shqipëria, mbeti ndër më të paktat vende në Europë që nuk pati rritje të papunësisë, por ulje të saj dhe kjo sepse në Shqipëri u investuan mbi 4.2 miliardë dollarë, 4 vitet që shkuan. Çfarë synojmë ne? Ne synojmë para së gjithash, punësimin dhe rritjen e rrogave dhe të pensioneve tuaja. Ne kemi program të qartë dhe të sigurt për krijimin e 250 vendeve të punës. Programin e punësimit ne e bazojmë së pari në rritjen më të madhe të investimeve në Shqipëri. Ne që morëm 4 miliardë dollarë, me fillimin e punimeve të kaskadës së Devollit, Shqipëria do të ketë 6 miliardë dollarë investime të huaja 4 vitet që vijnë. Ne vendosëm taksën 10 për qind dhe me këtë bëmë të mundur që bizneset e mesme dhe të mëdha të dy-trefishojnë xhiron dhe suksesin e tyre, bëmë të mundur që në 6 vjet në arkën e shtetit të kursehen 9.2 miliardë dollarë më shumë se sa në 8 vitet e qeverisjes socialiste. Ne vendosëm taksën e sheshtë dhe me këtë bëmë të mundur që mësuesi në vitin 2005 merrte gjithsej 140 mijë lekë merr sot 380 mijë lekë”, tha Berisha.
Top Channel