Rummenige: Gjermania e meriton një Botëror

31/05/2013 11:35

Presidenti i Bajernit të Mynihut dhe një prej figurave më të njohura të kombëtares gjermane, Karl-Heinz Rummenigge, e sheh Gjermaninë si përfaqësuesen që do të meritonte më shumë Botërorin e vitit të ardhshëm në Brazil.

”Borusia dhe Bajerni avancuan deri në finalen e Champions me shumë futbollistë të kombëtares në përbërjen e tyre, ndaj për mua është e qartë që mund të fitojmë Botërorin. Mendoj se ky brez i shkëlqyer futbollistësh e meriton të fitojë titullin e katërt në historinë tonë”, deklaroi Rummenige, në një intervistë për të përditshmen “Bild”.

Përsa i përket Bajernit, presidenti deklaroi se “ekipi i këtij sezoni është më i miri që ai mbante mend ndonjëherë”, ndërsa kërkoi kujdes për finalen e Kupës së Gjermanisë, përballë Shtutgartit, në 1 qershor.

Një fitore e mundshme, do të shndërronte trajnerin Jupp Heynckes në të parin që bën një tripletë në historinë e Bajernit, që nga ana e tij do të shndërrohej në ekipin e shtatë të historisë që ia del mbanë të realizojë këtë arritje të shkëlqyer.

Më përpara tripleta është realizuar nga Selltiku në vitin 1967, Ajaksi (1972), PSV Eindhoveni (1988), Manchester United (1999), Barcelona (2009) dhe Interi (2010).

Top Channel