Ekspozita më e fundit në Galerinë Kombëtare të Arteve sjell për publikun kryeqytetas një copë të historisë e bukurisë së Turqisë.
47 pikturat e 12 artistëve, të cilët janë frymëzuar nga ky qytet i veçantë, datojnë nga fillimi i shekullit të 20-të e deri në ditët tona dhe janë përzgjedhur nga koleksioni prej mbi 800 veprash i Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.
“Në këtë ekspozitë kemi zgjedhur ato piktura, që tregojnë vendet më të bukura të Stambollit, dhe punimet më të spikatura nga piktorët tanë më të mirë. Edhe për shkak të së kaluarës sonë të përbashkët, donim të sillnim një pjesë të Stambollit këtu në Shqipëri”, tha Prof. Dr. Kiymet Giray, kuratore e ekspozitës.
Ekspozita prezanton një tematike të përbashkët: peisazhin e Stambollit. Pikturat servirin një tablo të plotë të këtij qyteti, i cili paraqitet me të gjitha ngjyrat dhe veçantitë e tij, nga njëri stil te tjetri, dhe përcillet në kohë.
Ky koleksion vjen për publikun edhe si një prezantim i historisë së pikturës turke, të krijuar nga disa prej emrave më të njohur të artit modern të Turqisë, si Ali Riza Bayezit, Hikmet Onat, Ibrahim Çalli, etj.
Top Channel