Brazil-Angli rrezikon të mos zhvillohet

31/05/2013 03:25

Miqësorja e Anglisë me Brazilin, të dielën në Rio de Janeiro, është anuluar për shkak të shqetësimeve për sigurinë në stadiumin e saporinovuar “Maracana”.

Një vendim gjykate, i ditës së enjte, vendosi që ndeshja nuk mund të zhvillohet. Por, zyrtarë të lartë në Federatën e Futbollit (FA) të Anglisë kanë thënë për BBC se kanë marrë siguri nga kolegët e tyre brazilianë se ndeshja do të luhet siç ishte parashikuar.

Qeveria lokale e Rio de Janeiro-s ka apeluar ndaj vendimit të gjykatës. “Të gjitha kërkesat e sigurisë për ndeshjen miqësore mes Brazilit e Anglisë janë përmbushur dhe, për shkak të një dështimi burokratik, vlerësimi nga Ministria Publike, që dëshmon përputhshmërinë me rregullat e sigurisë në “Maracana”, nuk janë dërguar në Suderj”, thuhej në një deklaratë të qeverisë së Rio-s.

Suderj është një divizion i autoritetit shtetëror të Rio de Janeiro-s, i cili është përgjegjës për çështje administrative në lidhje me evente të mëdha sportive.

Gjykatësja, e cila konfirmoi urdhërin e gjykatës, Adriana Costa dos Santos, ka bërë të qartë se pezullimi mund të hiqet deri ditën e shtunë, nëse jepen prova se shqetësimet janë adresuar.

Stadiumi ikonë “Maracana”, me 78 mijë vende, u hap në prill, pas afro 3 vitesh punë për rikonstruksionin e tij, që duhet të jetë gati për finalet e Kupës së Botës në 2014.

Top Channel