Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu në një konferencë për shtyp pasditen e së premtes ka akuzuar sërish kreun e opozitës se më herët gjatë vitit pengoi qëllimisht marrjen e statusit të vendit kandidat.
Bregu ka deklaruar se pas votimit të tre ligjeve të integrimit ditën e enjte, nga kryetari i Partisë Socialiste nuk ka pasur asnjë reagim.
“Rama ishte i vetmi që nuk u gëzua për votimin e tre ligjeve. Rama as nuk e përmendi e as nuk e komentoi votimin e 3 ligjeve. Kjo tregon se Rama detyroi deputetët të bllokonin integrimin”, ka deklaruar Bregu.
Ministrja e Integrimit ka thënë më tej se, me kryeministrin Berisha dhe PD-në vendi ka ecur shumë përpara dhe ka shtuar se qeveria do ta zhvillojë akoma më shumë Shqipërinë.
Ditën e enjte, në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, mori fund saga e tre ligjeve. U deshën vetëm pak minuta që draftet të votoheshin me një shumicë prej mbi 100 votash.
Arritja e shumicës së cilësuar u mundësua nga kompromisi mes palëve, ku opozitës iu pranua kushti që ligjet të hyjnë në fuqi në shtator.
Në ndryshim nga pak minuta që kërkuan ligjet për miratim, seanca që zgjati disa orë u duk më tepër si një aktivitetet elektoral me akuza e premtime, ku kreu i qeverisë Sali Berisha mori disa herë fjalën.
Ndër tre draftet, ai për Gjykatën e Lartë, reformën parlamentare dhe nënpunësin civil, ky i fundit mori më shumë debat, pasi opozita i kërkoi kryeministrit përgjigje përse po përdor administratën në fushatë.
Top Channel