
Turqia do të jetë një partner strategjik krahas Italisë dhe Greqisë, nëse e majta do të fitojë zgjedhjet në Shqipëri. Gjatë një takimi që lideri i Partisë Socialiste Edi Rama bëri me Kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan, e ka njohur atë me programin e tij ambicioz të Rilindjes.
Në njoftimin për shtyp të Partisë Socialiste thuhet se Rama informoi Erdoganin për vendosmërinë për të jetësuar në Shqipëri një proces transformimi dhe modernizimi të ekonomisë, qeverisë dhe shërbimeve publike, duke u nënvizuar faktin se për herë të parë në programin për Rilindjen, Turqia konsiderohet, si një partner strategjik.
Edi Rama shprehu, po ashtu, admirimin e tij për arritjet e zotit Erdogan në luftën kundër korrupsionit dhe papunësisë, në ndaljen e rrënimit në arsim e shëndetësi dhe në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë turke. Ai i kërkoi zotit Erdogan ndihmë të mëtejshme për të çuar përpara axhendën modernizuese për Shqipërinë.
Zoti Erdogan shprehu kënaqësinë për vizitën dhe respektin e tij të madh për Shqipërinë e shqiptarët. Ai konfirmoi, po ashtu, edhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar Shqipërinë për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe për të luftuar varfërinë e papunësinë.
Pas takimit, Edi Rama shkroi në faqen e tij në Tëitter se kujtimi më i bukur nga kjo vizitë ishte libri që i dhuroi kryeministri Erdogan me dedikimin: “Të dashurit Edi Rama me urimet e mia për sukses…” T. Erdogan!
Top Channel