
Gjatë vijimit të fushatës elektorale në veri të vendit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në Koplik akuzoi kryeministrin Berisha se mashtron për ndërtimin e rrugëve, apo për sukseset që pretendon se ka arritur.
“Përrallat, i dini ju, iua tregon gjyshi me antiplumb, mjafton të hapni televizorin edhe keni gjyshin atje, me antiplumb, me 200 roje. Ju tregon gjyshi përralla për një Shqipëri, që jeton vetëm në mendjen e tij, me 10400 km rrugë të reja. Këto 10400 i thotë me lekë të vjetra, sepse ka bërë vetëm 1400 në 8 vjet. Zgjedhja e 23 qershorit është shumë e qartë, o me një pushtet në qafë, o me një qeveri në krah. E kemi dëgjuar gjyshin me antiplumb, kur thotë autobusi, autobusi, le njëherë që s’di fare se çfarë thotë, sepse mavi në turqisht domethënë bojë qielli, pra flamuri i PD-së”, u shpreh Rama.
“Jemi vend ku qeveria u thotë njerëzve kush nuk ka lek të mos sëmurët
dhe kush sëmuret të gjejë lekët para se të sëmuret. Vota më 23 qershor,
nuk është një votë për një parti kundër një tjetre, është një votë për
dy mënyra të ndryshme të të jetuarit, nuk është një votë për një flamur
apo për një tjetër, por një votë a e duam shëndetësinë falas për të
pasur e të varfër? A duam arsim të vërtetë me standarde europiane që
fëmijët tanë të mos ndjehen qytetarë të dorës së dytë nesër në Bashkimin
Europian”, tha Rama.
Më pas, ai u shpreh se PD nuk ka asnjë lidhje me disidencën e Shkodrës.
“Çfarë lidhje kanë këta në fund të fundit me disidencën e Shkodrës, dhe me përndjekjet e me persekutimet. Çfarë lidhje ka Saliu me gjyshërit e pushkatuar të të gjithë këtij qarku dhe gjithë këtij vendi, për idealet dhe idetë e tyre, nga një regjim barbar. Asnjë lidhje nuk kanë dhe unë jam i bindur se, në rast se ata gjyshër do të mund të çoheshin e të shikonin nipërit e mbesat e tyre, që votojnë për Saliun, do t’ua shkulnin veshin tamam”, shtoi Rama.
Rama i mbylli takimet në Shkodër me ushtarakë në lirim.
“Dhe të tjera, e të tjera, për të thënë më të rëndën, që deri më sot – thoshte – asnjë gjeneral nuk është shkarkuar apo liruar sipas procedurave kushtetuese e ligjore dhe janë bërë vetëm spastrime me një natyre, krejt tjetër nga ajo e ligjit”, përfundoi Rama.
Rama: Velipoja do të jetë prioritet
Në turin e tij elektoral, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është
ndalur në Velipojë, ku ka premtuar ngritjen e një agjencie kombëtare të
bregdetit e cila do të merret me planifikimin dhe zhvilimin e tij.
Rama tha se Velipoja dhe cdo bregdet tjetër i vendit do të jetë në prioritet e qeverisë së majtë.
“Për turizmin do krijojmë një agjensi kombëtare të bregdetit që do të merret me planifikimin dhe zhvillimin e bregdetit, pra të turizmit në të gjithë vijën bregdetare, që do të thotë që nga mbrojtja e bregdetit te planet e zhvillimit tek nxitja e punësimit nëpërmjet turizmit”, tha Rama.
Pyetjeve të banorëve të zonës Velipojë në lidhje me sistemin e drejtësisë zoti Rama iu përgjigj se vetëm një qeveri e drejtë do të ndryshojë sistemin e drejtësisë.
“Për punën e gjykatës dhe prokurorisë, nuk ka drejtësi. Nuk mund të ketë drejtësi. Nuk ta jep gjykatësi atë që nuk ta njeh qeveria. Në një vend që qeveriset me padrejtësi nuk mund të gjesh të drejtën në gjykatë. Drejtësia fillon nga sensi i drejtësisë që ka qeverisja. Nëse ne ndryshojmë frymën e qeverisjes dhe qeverisim me drejtësi atëherë do ndryshojë dhe sistemi i drejtësisë”, shtoi kreu i PS-së.
Rama ka premtuar në Velipojë se do të fokusohet shumë fort tek fshati sepse rilindja fillon nga toka, prodhimi dhe ushqimi.
“Subvencionet tona do të varen shumë nga format e bashkëpunimit që do të thotë që sa më shumë të bashkohen njerëzit për të zgjeruar tokën që punojnë aq më shumë do të mbështeten. Ne do të fokusohemi shumë fort te fshati nuk ka qenë kurrë prioritet bujqësia dhe blegtoria, ka qenë si xhep falso. Ne do të pesëfishojmë financimin për bujqësinë. Ne do të fokusohemi shumë fort të fshati se unë besoj shumë fort që këtu fillon rilindja te toka, te prodhimi te ushqimi, tek fshati”, tha Rama.
Top Channel