
Merr fund saga e tre ligjeve në parlament. U deshën vetëm pak minuta votimi që me një shumicë prej mbi 100 vota që të miratohen draftet që kanë prodhuar ndoshta më shumë akuza dhe kundërakuza politike.
Arritja e shumicës së cilësuar u mundësua nga kompromisi mes palëve, ku opozitës iu pranua kushti që ligjet të hyjnë në fuqi në shtator.
Në ndryshim nga pak minuta që kërkuan ligjet për miratim, Kuvendi që zgjati disa orë u duk më tepër si një aktivitetet elektoral me akuza e premtime, ku kreu i qeverisë Sali Berisha mori disa herë fjalën.
Sali Berisha, Kryeministër: Ku e keni Fierin tani? Më thoni pak ku është Fieri? Ju them unë juve. Ky votim ju përvlon por ju do ta bëni sot sepse ju besoni se mund të lani sytë me ujin e pellgut që krijuat vetë.
Ditmir Bushati, deputet PS dhe kryetar i Komisionit të Integrimit: Unë nuk e di se si ju përgjigjeni ju mbesave tuaja kur ju pyesin se pse Shqipëria nuk është sot Rumani apo Bullgari? Keni qeverisur këtë vend për 13 vjet dhe do të ishte shumë mirë që ta fillonit kërkesën e llogarisë dhe faljen nga vetja sepse në fund të fundit kjo do të tregonte shenjë burrërie.
Ndër tre draftet, ai për Gjykatën e Lartë, reformën parlamentare dhe nënpunësin civil ky i fundit mori më shumë debat, pasi opozita i kërkoi kryeministrit Berisha përgjigje përse po përdor administratën në fushatë.
Kryeministri Berisha: Ne nuk kemi normat e autobusit mavi. Sot janë normat e lirisë, standardet e saj.
Saimir Tahiri: Flisni për shërbim civil profesional, por c’shërbim profesional kur punonjësit i merrni me listë partie në punë, pa pyetur fare për konkurs. Cfarë merite kanë gjithë familjarët tuaj që kanë dyndur gjithë shërbimin diplomatik. Të uroj paqe deri më datë 23 qershor, më shumë paqe do kesh pas datës 23 qershor kur ta shohësh veten në pension dhe të siguroj që do jesh dhe baba dhe gjysh full time, por jo në kurriz të shqiptarëve.
Kreu i qeverisë shfrytëzoi këtë seancë për të rikthyer premtimin për liberalizimin e vizave me SHBA, pavarësisht deklarimeve skeptike të përfaqësuesve të Uashingtonit.
Kryeministri Berisha: Do fitojmë liberalizimin e vizave me SHBA. Ka muaj që po punoj për këtë cështje. Ne kemi miq dhe unë nuk them që është një proces i thjeshtë dhe jam optimist dhe nuk jam optimist kot.
Ditmir Bushati: Kjo është si të premtosh qiqra në hell. Ne kemi mundësi që të ecim të paktën me hapin e fqinjëve për t’i ndërtuar të gjitha kushtet e pasjes së një Shqipëria europiane këtu.
Fyle: Test janë zgjedhjet
Komisioneri përgëzon politikën: Statusi, luftë korrupsionit dhe krimit
Komisioni Europian mirëpriti, edhe nëpërmjet një komunikate për shtyp, miratimin konsensual nga Kuvendi të masave kyçe në fushën e gjyqësorit, administratës publike dhe të rregullores së ndryshuar të parlamentit.
“Mezi presim hyrjen e tyre në fuqi”, nënvizon KE, ndërsa vlerëson se vendimi i sotëm përbën një hap të rëndësishëm përpara, në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, në të mirën e qytetarëve.
“Plotësimi i këtyre masave, së bashku me veprimet e mëtejshme të marra për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimeve të këtyre rasteve, janë kyçe për vendimin e ardhshëm të Këshillit, nëse do t’i japë statusin kandidat Shqipërisë”, përsërit Komisioni, i cili do të raportojë në kohën e duhur mbi progresin e arritur nga Shqipëria.
“Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojnë përfundimet e Këshillit të dhjetorit zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Komisioni dëshiron të kujtojë se zhvillimi i suksesshëm i tyre do të jetë një test thelbësor për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit”, përfundon deklarata e Komisionit.
Ndërkombëtarët përshendesin konsensusin
Faktori ndërkombëtar ka reaguar në mënyrë të menjëhershme për miratimin e tre ligjeve. Pas seancës që e ka ndjekur prej fillimit, ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui përshëndeti kompromisin e arritur.
“Unë ashtu sic e kam thënë më parë, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ecë përpara në plotësimin e detyrimeve dhe kjo ishte prova”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui.
Pas tij edhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule ka reaguar në profilin e tij në Twitter ku shkruan:
“Mirëpres miratimin e tre masave kyçe në parlament. Është e rëndësishme që të ruhet konsensusi ndërpartiak për të çuar vendin në rrugën drejt Bashkimit Europian”.
Pas kësaj seance, që kryeministri Berisha u kujdes disa herë ta nënvizojë se është e fundit, merr fund kjo legjislaturë dhe së bashku me të, u mbyll edhe mundësia për zgjidhjen e krizës në KQZ.
Por pavarësisht, Ambasadori i OSBE–së Eugen Volfarth, që përshëndeti gjithashtu pas seancës miratimin e tre ligjeve dha mesazhin se për momentin duhet të kënaqemi me kaq.
“Njeriu duhet të jetë optimist. Unë, sigurisht, që e kam thënë atë që kam pasur për të thënë për KQZ-në. Ne do të dëshironim dhe vijojmë të dëshirojmë një KQZ të plotë, por le ta ndajmë këtë nga hapat e ndërmarrë sot. Sot pamë konstruktivitet dhe kur ndërton një vend dhe një të ardhme më të mirë, nuk mund të reshtësh kurrë së qeni konstruktiv”, tha ai.
Serisë së reagimeve ndërkombëtare iu bashkua edhe Ambasada amerikane, që i referohet përmbushjes së përparësive të mbetura nga qeveria e ardhshme.
“Ambasada mirëpret miratimin konsensual nga Parlamenti, të legjislacionit të rekomanduar nga Bashkimi Europian. Nxisim Parlamentin dhe qeverinë e ardhshme t’i përkushtohen përmbushjes së përparësive të mbetura dhe reformave të tjera të nevojshme, nëpërmjet konsensusit dhe bashkëpunimit, me qëllim që të fitojnë një opinion pozitiv nga Bashkimi Europian”, përfundon deklaratën Ambasada amerikane në Tiranë.
Top Channel