Më 23 qershor Berisha ka përballë vetëm qytetarët shqiptarë

30/05/2013 00:00

Mustafa Nano – Dje, pas takimit me zotin Jonathan Moore (në fakt, na
thanë për takim, por Moore e kish organizuar si një konferencë për
shtypin), i thashë Adrian Thanos në telefon, se “takimi ishte një kohë e
humbur”. Ia thashë sapo dola nga dera e Ambasadës Amerikane, në të
nxehtë, por të njëjtën gjë mendoj edhe tani, disa orë pas atij takimi,
në të ftohtë.

Në fakt, pasi dëgjova atë që miku nga ëashington-i kish thënë paraditen e djeshme në Durrës (“KQZ-ja nuk është gjithçka; keni dhe Kolegjin Zgjedhor”, na tha në thelb ai në Durrës, duke e minimizuar kështu atë që ka ndodhur në KQZ e duke i lënë zgjedhjet në dorë të një Kolegji që Berisha e kontrollon dhe në gjumë), nuk pata më kureshtjen e fillimit, kureshtjen e momentit kur ma bënë ftesën për të qenë në atë takim. Por pata, prapëseprapë, aq kureshtje sa për të shkuar atje. Isha tok me kolegë të mijtë: Skënder Minxhozi, Sokol Balla, Henri Çili, Armand Mero, Armand Shkullaku, Mero Baze, e Ilva Tare. Ish dhe, siç e donte puna, ambasadori amerikan, Alexander Arvizú.

Na u tha se gjërat që do thuheshin aty mund të ndaheshin me publikun, gjë që krijoi idenë se zoti Moore do thosh gjëra të rëndësishme. Dhe në fakt, ai tha gjëra të rëndësishme. I tha këto gjëra edhe duke u përpjekur të mos thosh asgjë, ose më mirë të them, duke u përpjekur të ish i balancuar në maksimum. Në asnjë moment nuk harroi të thosh se “këtu të gjithë presin që ne të mbajmë anë, por ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin që të ndërhyjmë në problemet mes palëve politike në Tiranë, se këtu ka mazhorancë, por ka dhe opozitë, se përgjegjësitë janë të palëve, se Rama, Meta, Berisha kanë deklaruar se do ta njohin rezultatin e zgjedhjeve, se të dy palët janë shprehur se janë të sigurt se do të fitojnë zgjedhjet, s’ka gjë se fitues do jetë vetëm njëra palë (këtë e ka thënë edhe më parë, por ngaqë i është dukur si vëzhgim inteligjent, e ripërsëriti), etj.”. Dhe kur ra fjala për 21 janarin, ndonëse pas asaj date ka rrjedhur shumë ujë, ndonëse vrasësit ia kanë dalë ta hedhin lumin pa lagur, ndonëse procesi i hetimit dhe i gjykimit ka qenë dukshëm i kontrolluar nga vrasësit e urdhëruesit e vrasësve, ai s’e pati për gjë të përsëriste serbes-serbes tezën e vjetër, se Ok, e dimë që ka pasur të vrarë, i kemi qëndruar afër Prokurorisë për këtë problem, por nga ana tjetër ajo ngjarje ishte më komplekse, protestuesit patën një axhendë tjetër përveç protestës që bënë, e mufka të tjera të këtij lloji.

I pyetur, nëse “qeveria shqiptare është futur, apo jo, në rrugën e përplasjes me SHBA-në pas ndërhyrjes në KQZ”, siç ka lënë të kuptohet ambasadori Arvizu, ai e përgënjeshtroi këtë të fundit dhe tha qartë e saktë, se “jo, nuk mund të flitet për përplasje mes ëashington-it e Tiranës”. Ndërsa i pyetur mbi rolin e kompanisë “Podestá Group” në përcaktimin e qëndrimeve ndaj qeverisë së Shqipërisë e ndaj zhvillimeve shqiptare në tërësi, ai tha se “po, ne kemi kontakte me këtë kompani e kompanitë e lobimit në përgjithësi”, por nuk u zgjat më shumë në këtë pikë, pa iu përgjigjur pyetjes. E duhet thënë se ai në përgjithësi nuk iu përgjigj pyetjeve. Por edhe kështu ai ishte shumë i lexueshëm. Ai ka folur me synimin për të fshehur qëndrimet e veta, por qëndrimet e tij u bënë kështu paradoksalisht më të qarta. Mesazhi kryesor që ai lëshoi (ca i troçtë, ca i nënkuptuar) ishte: “Ne do jemi të pranishëm në zgjedhjet e 23 qershorit, para dhe pas tyre, por këto zgjedhje janë tuajat e të institucioneve që ju keni ndërtuar”.

Shkurt, kush ka jetuar me idenë se SHBA janë të zemëruara me Berishën, se Berisha ua ka sjellë në majë të hundës me sjelljen e vet, se këtë herë nuk kanë për ta lënë të vjedhë zgjedhjet, etj., etj., bën mirë ta kuptojë se këto janë iluzione. Nuk ka asnjë problem mes Berishës e SHBA-së. Sigurisht, mendja të shkon se SHBA nuk kanë për ta inkurajuar Berishën që të vërë dorë mbi zgjedhjet, por është e qartë se nuk kanë për t’ia bërë të madhe ndonjë zullum, siç nuk ia kanë bërë të madhe zullumet e deritanishme, ca prej të cilave kanë qenë ku e ku më të mëdha se sa trukimi i një rezultati elektoral (siç ishte, fjala vjen, vrasja e katër qytetarëve në bulevardin kryesor të Tiranës).

Zgjedhjet pra janë një çështje e jona. I kemi ne në dorë, ne qytetarët shqiptarë. Nëse Berisha vendos t’i fitojë ato me çdo kusht, ai nuk mund të ketë një pengesë tjetër, veç nesh. Shqiptarët mund t’i bëhen pengesë së pari duke shkuar masivisht në votime, në mënyrë që t’ia bëjnë më të ndyrë sfidën (apo më të vështirë planin) e trukimit të rezultatit, së dyti duke rritur vigjilencën (kjo është detyrë për opozitën) gjatë procesit të votimit e të numërimit të votave, dhe së treti, duke u ngritur më këmbë në rast se Berisha nuk na lë shans tjetër. Berisha po kërkon të na ngulë në kokë idenë se “opsionet në këto zgjedhje janë dy: fitorja e tij, ose destabilizimi i vendit”, por duhet të jemi ne që duhet t’ia ngulim atij në kokë se opsionet janë dy të tjera: fitorja e tij, ose fitorja e opozitës.

Në këtë betejë nuk kemi aleatë të tjerë. Mund të kishim SHBA, por nuk i kemi. SHBA, në rastin më të mirë, do ta mbajnë bythën mënjanë, e në rastin më të keq mund ta mbështesin Berishën pas ndonjë prapësie, siç e kanë mbështetur gjatë këtyre viteve. Ndërsa europianët nuk mund t’i kemi by default; europianët janë Fule, Kukan, Lajçak, Grossruck, Doris Pack, ëollfarth, Joseph Daul, etj., janë partitë socialiste dhe partitë popullore, janë Berlusconi e Merkel, e kështu me radhë. D.m.th. nuk janë një gjë e vetme e nuk mund të kenë një zë më vete. Sa për vëzhguesit, në këto rrethana ata janë zëri më i parëndësishëm. Por edhe sikur të vijë puna që të kenë rëndësi, atyre do t’u mbyllet goja, siç u është mbyllur zyrtarëve të Departamentit të Shtetit. Nuk di se si mund t’ua mbyllin gojë vëzhguesve, por e dimë tanimë pse ëashington-i mbështet Berishën. Ky i fundit ka një mik që është më i fortë se disa zyrtarë në Departamentin e Shtetit. Shumë më i fortë se sa Jonathan Moore. Ka mik Tony Podestá-në.

P.S. Para dy ditësh u futa në “Google”. Shkrova emrin Jonathan Moore, dhe dhashë komandën “search”. Dhe ja se ç’më doli në “ëikipedia”:

1. Jonathan Moore, atlet, lindur më 1984; 2. Jonathan Moore, basketbollist, lindur më 1958, ka luajtur për skuadrën “Furman University”; 3. Jonathan Moore, basketbollist, lindur më 1982, ka luajtur për skuadrën “North Carolina Central University”; 4. Jonathan Moore, zyrtar i Departamentit të Shtetit, lindur më 1932 (ky i yni është tjetër, është i ri në moshë); 5. Jonathan Moore, lojtar golfi, lindur më 1985; 6. Jonathan Baker Moore (1825–1889), anëtar i Asamblesë së ëisconsin-it dhe gjeneral; 7. Jon Moore, futbollist, lindur më 1955.

Fakti që Jonathan Moore (ky i yni) nuk gjendet në “Google”, nuk ka, e nuk ka pse të ketë, ndonjë domethënie. Unë e përmenda thjesht si një fakt kureshtar dhe argëtues që e vura re, teksa doja të merrja vesh se si emërtohej posti që ai mban në Departamentin e Shtetit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA