F1, truku me gomat Pirelli

30/05/2013 16:00

Ditët e fundit kanë qarkulluar në blogje dhe rrjete sociale foto të ndryshme të makinave të Formulës 1 me gomat e montuara në pozicionet e kundërta: goma e djathtë e vënë majtas dhe ajo e majtë e vënë djathtas.

Ka teori se këtë truk ka përdorur Ferrari, Lotus dhe Force India, skuderitë që janë përshtatur më mirë me konsumin e lartë të gomave Pirelli, për të pasur një rendiment më të lartë. Gjithashtu, është parë një foto e Nico Rosberg (Mercedes) me gomat e montuara jo siç duhet në garën e Monakos, garë të cilën e fitoi pas shumë problemesh që i kanë shkaktuar gomat në provat paraardhëse të botërorit.

‘Marca’ ka konsultuar një ish-drejtor teknik në Formulën 1, i cili thekson se të mirat që sjell montimi i tillë i gomave janë të pakta, thuajse të papërfillshme.

“Të gjithë e dinë se gomat Pirelli mund të montohen në anë të kundërt pa problem. Struktura e tyre e lejon këtë gjë, ndryshe nga gomat Bridgestone. Kjo bëhet për të qëndruar në pistë vetëm dy xhiro më shumë, nuk është ndonjë sekret dhe përfitim i madh. Rosberg e fitoi garën pasi në Montekarlo konsumi i gomave është shumë i ulët dhe Mercedes ishte makina më e shpejtë në prova.”

Top Channel