
“Jam shumë i entuziazmuar nga mesazhet që vijnë nga të gjithë tifozët e Napolit dhe mezi pres të nis punën me këtë skuadër”.
Kështu është shprehur trajneri i ri i ekipit napoletan, Rafa Benitez, i cili ka postuar një mesazh në rrjetin social Twitter.
Të gëzuar edhe nga lajmet e ardhura nga Uruguaji, përmes të cilave Edinson Cavani ka lënë të kuptohet se mund të qëndrojë tek klubi italian, tifozët tashmë po numërojnë ditët për mbërritjen e Benitez.
Fakti që nuk ka mbërritur ende në Napoli nuk do të thotë që tekniku madrilen nuk po punon për kompaninë me të cilën ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare.
Këto janë ditët kur po bëhet gati merkatoja dhe Benitez, që në skuadrat që ka drejtuar ka qenë personalisht aktiv edhe në këtë front, po shqyrton situatën për të kuptuar se çfarë fushate shit-blerjeje të aplikojë.
Trajneri i ri i Napolit është një njohës i mirë i futbollit botëror, por është e qartë që së pari duhet të qartësojë idetë për të identifikuar se çfarë duhet të ndryshojë në skuadër për të përshtatur lojën e saj sipas skemave të tij.
Top Channel