Pak orë përpara mbajtjes së seancës së jashtëzakoshme të Parlamentit, nuk dihet ende se cili do të jete rezultati i saj.

Kuvendi do të mblidhet të enjten më 30 maj, në orën 10.00, siç ishte paralajmëruar pak ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha dhe kjo konfirmohet në faqen zyrtare të këtij institucioni që ka publikuar edhe rendin e ditës.

Ky sesion i jashtëzakonshëm është thirrur me kërkesën e kreut të Qeverisë për miratimin e tre ligjeve, të njohura tashme si ligjet e integrimit, ku përfshihen projektligji për Nënpunësin Civil, projektligji për Gjykatën e Lartë dhe reforma parlamentare.

Por bashkë me to, me kerkesë po të kryeministrit, është përfshirë në rendin e ditës edhe Amnistia Fiskale, që gjithashtu përmban pikëpyetjen për ligjvënësit, se çfarë përmban ky draft, pasi ai nuk ka kaluar më parë në komisionet parlamentare.

Seanca nuk do të paraprihet nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për të përcaktuar rendin e ditës, pasi në kërkesën zyrtare të kreut të qeverisë të pak ditëve më parë thuhet se ai ka shfrytëzuar në këtë rast të drejtën kushtetuese të parashikuar në nenin 74 “për të thirrur Kuvendin në sesion të jashtëzakonshëm për çështje të një rëndësie të veçantë dhe me rend dite të përcaktuar”.

Kjo seancë gjithashtu nuk do të paraprihet nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ashtu siç opozita kërkoi pak ditë më parë, për të dakortësuar draftet, pasi mazhoranca i quan të diskutuara dhe miratuara në Komisionin e Ligjeve tre projektet e njohura si të integrimit.

Me këto qëndrime të pa rakorduara të palëve do të mblidhet paraditen e së enjtes Kuvendi, ku grupet parlamentare konfirmojnë vetëm prezencën, por jo qëndrimet.

Ndërsa LSI konfirmoi për Top Channel se kushti për të është vetëm hyrja në fuqi e ligjeve në shtator. Por, gjithësesi qëndrimi do të jetë i njëjtë me grupin parlamentar të PS, deklaroi partia e Ilir Metës, duke shtuar se ajo që s’ka diskutim është kundërshtimi i opozitës për amnistinë fiskale, si propozim elektoral i kryeministrit.

Deputetëve të dy partive më të mëdha iu është komunikuar vetëm vendimi që të jenë të pranishëm në seancë. Të kontaktuar në telefon, ata ishin pa dijeni për qëndrimin dhe në pritje që t’u konfirmohet kjo nga kryetarët respektivë.

Më të qartët ishin vetëm deputetët që nuk do të jenë në seancë, një pjesë e mirë e atyre që janë jashtë listës së kandidatëve për Kuvendin e ri, ndër ta edhe deputetë të komisionit të ligjeve.

Top Channel