Injorimi i shtetit të Kosovës nga Maqedonia, duke mos ftuar krerët e institucioneve kryesore në Samitin për Bashkëpunim në Europën Juglindore që do të mbahet në Ohër, po zgjon reagime të shumta në Kosovë dhe jo vetëm.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka konsideruar se Kosovës i është bërë një padrejtësi, pasi në marrëveshjet që janë arritur në Bruksel është thënë se Kosovës po i hiqen të gjitha pengesat që të marrë pjesë në konferencat rajonale.

“Kjo tregon se ende në vendet e rajonit tonë ekzistojnë mentalitete të vjetra që e kanë të vështirë të kuptojnë ndryshimet që janë sjellë në këtë rajon dhe ta kuptojnë domosdoshmërinë e partneritetit dhe bashkëpunimit të ri në Ballkan e më gjerë”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, do të duhej një ndikim i Bashkimit Europian për të parë pa pengesa se në rajonin tonë ka vende që nuk janë përgatitur për t’i respektuar vlerat që vendos BE-ja.

Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, vetëm një ditë pasi presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vendosi të mos marrë pjesë në këtë Samit, ndonëse ishte ndër të parët që kishte konfirmuar pjesëmarrjen, ka thënë për Top Channel se Kosova nuk mund të injorohet nga askush, në këtë rast as nga Maqedonia.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithpërfshirës dhe Shqipëria udhëhiqet nga kjo logjikë e jo nga ajo përjashtuese. “Kosova është një element thelbësor i qenësishëm i arkitekturës së sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Shqipëria do të ulë nivelin e përfaqësimit në këtë Samit duke dërguar zëvëndësministrin e Jashtëm dhe drejtoreshën e përgjithshmë për çështjet europiane në Ministrinë e Jashtme”, ka deklaruar Lauka.

Sipas ambasadorit Lauka, edhe në këtë rast Serbia, e cila kundërshtoi praninë e Kosovës në këtë Samit, është treguar jo serioze, me dy fytyra dhe po shkel me këmbët e veta marrëveshjet që janë arritur deri më tani në Bruksel, ku në njërën prej tyre parashihet që palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën në integrime europiane.

Vendimin e presidentit të Shqipërisë e ka përshëndetur lëvizja Vetëvendosje. “Është një vendim shumë i drejtë dhe ne e përshëndesim një vendim të tillë, për shkak se po tregon që Shqipëria po ndërton marrëdhënie plotësuese me Kosovën në aspektin ndërkombëtar, në aspektin diplomatik, në aspektin e përfaqësimit, në aspektin e mbrojtjes së interesave kombëtare”, ka thënë deputeti Glauk Konjufca.

Ditë më parë reagoi edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e konsideroi mungesën e ftesës si një qëndrim që bie në kundërshtim me parimet europiane.

Top Channel