
Hasan Halilaj, kryetar i Bashkisë së Kukësit deklaroi largimin nga Partia Demokratike dhe afrimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Halili i zgjedhur dy herë kryebashkiak i kandiduar nga Partia Demokratike në një konferencë për shtyp rënditi arsyet e këtij largimi duke lëshuar akuza ndaj ministrit Olldashi.
“Përderisa qeveria aktuale e PD nuk realizonte premtimet që kemi bërë bashkë, unë deri ditën e sotme kam qenë pjesë e PD-së, nga dita e sotme, unë nuk do të jem më pjesë e PD për të vetmen arsye se ata nuk kanë dashur të takojnë kryetarin e Bashkisë për të zgjidhur problemet. Konkretisht është nismë e jashtëzakonshme e zotit Olldashi për të mos zgjidhur asnjë lloj problemi që ka patur Kukësi. Forca tjetër që unë do të përfaqësoj nga dita e sotme është Lëvizja Socialiste për Integrim. Kukësi do ujë, nuk ka nevojë për premtime apo mashtrime politike 1 herë në 4 vjet. Problemin kryesor e kam me pjesën më interesante të qeverisë shqiptare që është mësuar të bëjë punë ashtu sic di vetë. Unë nuk di të bëj punë ashtu sic dinë ata. Di të bëj punë, të zgjidh problemet ashtu sic e ka parashikuar ligji”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Kukësit.
Halilaj thotë se e ka vendosur largimin për shkak të premtimeve të pambajtura të qeverisë për qytetin e Kukësit. Ai përmend dështimin me ujësjellësin e ri për të cilin thotë se është jashtë standardit.
Mosndërhyrja në infrastrukturën rrugore, mosndërtimi i landfillit të mbeturinave, mosndërtimin e shkollës në lagjen e re, mungesën e financimit të konviktit të shkollës së mesme, të qendrës së shërbimeve sociale, stadiumit të futbollit. Gjithashtu, mosfunksionimin e tregut agro-ushqimor dhe magazinës së patates.
Top Channel