Meta: Mbështetje për fasonët

29/05/2013 00:00

Gjatë vizitës në një fabrikë këpucësh në qytetin e Fierit, kreu i LSI-së
Ilir Meta deklaroi se biznesi fason meriton më shumë mbështetje nga
Qeveria, pasi është biznesi më i madh punëdhënës në vendin tonë, sidomos
për gratë dhe vajzat.

“Për LSI-në është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë. Ne jemi të angazhuar për të ndihmuar sidomos në financimin e biznesit fason, në ristrukturimin më afatgjatë të kredive”, tha Meta.

PD: Fitore e sigurt

Kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, Ardi Kollozi dhe nënkryetari i kësaj force Astrit Patozi kanë hapur fushatën në komunën Shushicë të Vlorës.

“Të gjithë banorët e kësaj komune, por edhe me gjerë pranojnë se Partia Demokratike është subjekti i cili garanton, siguron pritshmëritë, kërkesat e qytetarëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë”, tha Kollozi.

“Ju garantoj se ne kemi një atmosferë të tillë entuziaste, një klimë fitoreje nga cepi më i largët i Shqipërisë, deri në kryeqytet”, tha Patozi.

Idrizi: Në përfaqësojmë çamët

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka hapur fushatën në Fier, ku ka prezantuar 16 kandidatët për deputetë në këtë qark.

“Unë jam i bindur që qytetarët e Fierit, e meritojnë që të përfaqësohen më denjësisht në Parlamentin e Shqipërisë. Rroftë Çamëria, rroftë qarku i Fierit, rrofshin shqiptarët, me një zemër, me një mendje, me një gjuhë, me një të ardhme dhe me një histori”, tha Idrizi.

PS: Ndihmë shtresave të varfëra

Kandidatët e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Eglantina Gjermeni dhe Artur Cobani në një takim me banorët e lagjes “Skënder Libohova”, kanë premtuar se Partia Socialiste është zgjidhja për shumë probleme.

“Ndryshimi që do të bëjmë, qoftë me hapjen e vendeve të reja të punës, qoftë me shëndetësinë, qoftë me shërbimet sociale, të mundemi që familjet, sidomos ato në nevojë të përfitojnë maksimalisht. Dua t’ju shpreh angazhimin tim maksimal, për t’ju përfaqësuar denjësisht në parlament. Kjo sigurisht varet nga vota jonë në 23 qershor”, tha Gjermeni.

Milo, takime në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale Spartak Milo ka premtuar para banorëve të njësisë numër 5, uljen e shifrave të papunësisë në kryeqytet, duke zbatuar një program të posacëm për aftësimin e fëmijëve në punë.

“Do të shikojmë me përparësi punësimin e të rinjve, duke i riaftësuar të rinjtë, me kurse specializimi, me qëllim që ata të mund të bëhen të aftë brenda një kohe të shkurtër, me qëllim që të gjejnë punë. Po kështu do të shikojmë me përparësi punësimin e grave, tha Milo.

Top Channel