F1, Hamilton: Vettel e ka pasur të lehtë

29/05/2013 00:00

“Jam i habitur nga ritmi tepër i ulët i makinave Mercedes në xhirot e para të garës së Monakos. Prisja që të shkëputeshin, por dukeshin si autobusa.”

Këto ishin fjalët e Sebastian Vettel pas garës në Montekarlo duke iu referuar shpejtësisë së Nico Rosberg dhe Lewis Hamilton, të cilët u nisën nga vendet e para.

Por, ironia e tre herë kampionit të botës nuk i ka pëlqyer aspak britanikut Lewis Hamilton: “Vettel ka pasur makinën më të shpejtë në katër vitet e fundit, kështu që e ka të lehtë të flasë. Ai e ka pasur jetën të lehtë.”

Hamilton mbron punën që po bën ekipi i drejtuar nga Ross Brawn dhe që po nis të japë frytet në garë.

“Po rritemi garë pas gare, po mësojmë dhe po përmirësojmë një makinë që ka shumë potencial”, theksoi britaniku.

Top Channel