F1, Button: Mercedes duhet të dënohet

29/05/2013 13:20

Jenson Button (McLaren) ka kërkuar nga bosët e Formulës 1 të dënojnë skuderinë Mercedes për testet që kanë bërë me gomat e reja Pirelli, goma që do të përdoren për herë të parë në fundjavën e garës së Kanadasë.

Fitorja e Nico Rosberg në Monako është në dyshim pasi Mercedes pranoi që ka zhvilluar testime private me gomat italiane para garës së Montekarlos. Red Bull dhe Ferrari protestuan tek Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) se këto testime ishin të paligjshme dhe tashmë gjithçka e ka në dorë Gjykata Ndërkombëtare, që ka në krye Jean Todt dhe që është krijuar në vitin 2010 për të zgjidhur çështjet problematike në Formulën 1.

“Nuk dua që t’i hiqet fitorja Rosbergut apo pikët Hamiltonit, por duhet t’i hiqen pikët që do të bëjnë në Kandada sepse ata janë mësuar me gomat e reja, ndërsa ne të tjerët jo. Duhet të sqarohet kjo çështje”, theksoi britaniku i McLaren.

Button iu rikthye edhe polemikës me shokun e tij të skuadrës, Sergio Perez: “Kur më parakaloi çdo gjë ishte korrekte, por kur u mundova të rimerrja vendin, më zuri rrugën. Mund të kishte shkaktuar një aksident të rëndë. Disa thonë që u tregua guximtar, por ka ndryshim mes guximtarit dhe diçkaje tjetër.”

Top Channel