“Do hapim 300 mijë vende pune”

29/05/2013 23:30

Këndi i fjalës është zhvendosur në qytetin e Kavajës, ku kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar për të rinjtë më shumë punësim.

“Ndërkohë, atyre të rinjve, që sot e kanë mbaruar shkollën e mesme dhe janë pa punë, ne do t’u ofrojmë kushte të trajnimit profesional, në mënyrë që të aftësohen në një zanat të caktuar. Sepse, sot në Shqipëri, kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror, por nuk kemi zanatçinj”, tha Rama.

Rama, më pas, shpjegoi planin e tij ambicioz për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës.

“Por vende të reja pune reale, jo si vendet e Saliut, se po shikonim pak më parë një spot, që thoshte kemi hapur 200 mijë vende të reja pune, ndërkohë që vet INSTAT, që varet nga ai, thotë që janë humbur 51 mijë vende pune. Vende pune të hapura me fjalë dhe me spote, ne mund të hapim edhe 1 milion, problemi është të hapim vende pune reale. Ne mund të hapim vende pune reale, duke nxitur investimet prodhuese dhe duke pasur një plan të veçantë për të bërë trajnime profesionale për gratë, që janë të reja të papuna, pra grave-nëna të reja, që janë të papuna”, shtoi Rama.

Rama takon peshkatarët
“Ju premtoj, që do të jem avokati dhe partneri juaj i drejtpërdrejtë”

Ndërsa në Durrës, gjatë takimit me peshkatarët, Rama premtoi se do të bëhet avokati i tyre.

“Ai thotë ka bërë, po çfarë ka bërë? S’ka bërë angjë. Saliu vetëm ka shkatërruar, biles duhet të japë llogari, ku kanë shkuar fondet tona, që kanë ardhur për peshkimin, ku kanë shkuar?! Duhet të japë patjetër llogari Berisha për këtë punë dhe për shumë gjëra”, tha një banore, grua e një peshkatari.

“Do ta realizojmë bashkarisht, që nafta të jepet këtu dhe të jepet pa akcizë, të jepet pa taksën e qarkullimit, me këtë do fillojmë. Naftën, shkollën profesionale, kantierin, këto të tria do t’i trajtojmë bashkarisht, do të punojmë bashkarisht, do t’i zgjidhim bashkarisht. Unë ju premtoj, që do të jem avokati dhe partneri juaj i drejtpërdrejtë. Nuk do t’i lë gjërat, që të vijë fushata tjetër”, theksoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA