Athinë, Topalli takon emigrantët

29/05/2013 00:00

Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli u takua me emigrantë në Athinë të cilët i ftoi për të votuar Partinë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Në parlament duhen vetëm 3 sekonda për të kaluar 3 ligje të cilat do i kishin dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Pa marrjen e statusit ne ecim përpara për të arritur atë që është e rëndësishme për emigrantët, njohjen e viteve të punës. Kësaj radhe ju duhet të ndikoni përsëri për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, tha zonja Topalli.

Meta: Mbështeje për fasonët

Gjatë vizitës në një fabrikë këpucësh, në qytetin e Fierit, kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se biznesi fason meriton më shumë mbështetje nga qeveria pasi është biznesi më i madh punëdhënës në vendin tonë, sidomos për gratë dhe vajzat.

“Për LSI-në është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë. Ne jemi të angazhuar për të ndihmuar sidomos në financimin e biznesit fason dhe në ristrukturimin më afatgjatë të kredive”, tha Meta.

“Ne 23 qershor, fitore e sigurt”

Kryetari i Partisë Demokratike  në Vlorë, Ardian Kollozi dhe nënkryetari i Partise Demokratike, Astrit Patozi kanë hapur fushatën në komunën Shushicë të Vlorës.
“Të gjithë banorët e kësaj komune, por edhe të Vlorës dhe më gjërë pranojnë se PD është subjekti që garanton dhe siguron pritshmëritë, kërkesat e qytetarëve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë”, tha zoti Kollozi.

“Ju garantoj se ne kemi një atmosferë të tillë entuziaste fitoreje, nga cepi më i largët i Shqipërisë deri në kryeqytet”, tha Patozi.

Idrizi: Ne përfaqësojmë çamët

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka hapur fushatën në Fier ku ka prezantuar 16 kandidatët për deputet në këtë qark.

“Unë jam i bindur që qytetarët e Fierit e meritojnë që të përfaqësohen më denjësisht në parlamentin e Shqipërisë. Rroftë Çamëria! Rroftë Qarku i Fierit! Rrofshin shqiptarët me një mendje, me një zemër dhe me një të ardhme”, tha Idrizi.

“Do të ndihmojmë shtresat e varfëra”

Kandidadët e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Eglantina Gjermeni, dhe Artur Çobani, në një takim me banorët e lagjes “Skënder Libohova në Fier, ka premtuar se Partia Socialiste është zgjidhja për shumë probleme.

“Ndryshimi që do të bëjmë, qoftë me hapjen e vendeve të reja të punës, qoftë me shëndetësinë, qoftë me shërbimet sociale të mundeni që familjet, sidomos ato në nevojë të përfitojnë maksimalisht. Dua të shpreh angazhimin tim maksimal për t’ju përfaqësuar denjësisht në parlament. Kjo varet sigurisht nga vota jonë më 23 qershor”, tha Gjermeni.

“Jam gjysh me kohë të stërplotë”

Berisha i është përgjigjur “thirrjes” së Edi Ramës për të bërë punën “gjysh me kohë të plotë”.

“Unë ndjehem i lumtur si një burrë “kohë plote” gjatë jetës sime dhe “jo çerek apo gjysëm burrë si ç’jeni faktuar dhe keni pohuar ju veten tuaj”!!! Familja jonë ka dy femijë për te cilët kam qenë gjithë jetën e tyre baba “kohë plote”;  kam bërë gjthçka për edukimin e tyre! Ata në asnjë rast nuk kanë ndjerë braktisjen time dhe më së fundi “më të ëmbëlit mbi tokë” : femijët e fëmijve të mi! Vetëm një imagjinatë e çoroditur ose një mëndje  nga autobuzi yt mavi dhe arkivi  kompleks që të ndjek, mund  të më  përftyrojë mua gjysh me kohë të pjeseshme, të engjëjve të familjes sonë, pasi, me ata dhe për ta, së bashku me Lilin jemi gjyshër me kohë të sterplotë!”, thuhet në deklaratën e PD.

“Vëmendja e qeverisë në Berat”

Kandidatët e Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit i kanë premtuar elektoratit se do t’i kthejnë vëmendjen e munguar të qeverisë dhe dinjitetin që i takon beratasve. Ata janë ndalur në komunën Vertop në Berat.

“Kjo politikë në 22 vjet e ka kantandisur fshatin në një gjendje të tillë që duhet të vijë deputeti të merret me kanalet e ujërave të zeza. Ne si detyrë kemi dhe programin tonë që ne t’i bëjmë rrugën kryesore, Lushnje-Berat, Berat-Poliçan dhe Poliçan- Tre Urat”, tha Fidel Ylli.

Milo takime në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale ka premtuar para banorëve të njësisë numër 5  uljen e shifrave të papunësisë në kryeqytet duke zbatuar një program të posaçëm për aftesinë e të rinjve për punë.

“Do të shikojmë me përparësi punësimin e të rinjve duke i riaftësuar të rinjtë me kurse specializimi me qëllim që ata të bëhen të aftë në një kohë të shkurtër dhe të gjejnë punë. Do t’i japim përparësi punësimit të grave”, tha Milo.

Tavo, akuza për PD dhe PS

Kandidati për deputet LSI-së në Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo ka akuzuar për pazare të PD dhe PS në qark të cilat i ka të regjistruara në CD.

“Denoncoj publikisht pazaret e individëve të veshur me pushtet që luajnë poker politik në dhoma të errta nën moton armiku i armikut tim është miku im. Cuditërisht partia në pushtet po përdor eksponentë të PS, duke patur si qëllim final eliminimin politik të LSI-së”, tha Tavo.

FRD: Manipulime me listat

27 mijë raste të dyshuara për dublime dhe rreth 340 mijë zgjedhës pa adresë që u raportuan nga audituesi i opozitës që u raportuan në Ministrinë e Brendshme, për FRD-në nuk janë pasojë e paaftësisë së institucioneve, por pjesë e skenarit të pushtetit për të manipuluar zgjedhjet.

“Fryma e Re Demokratike beson se mosveprimi nga ana e organeve shtetërore për të reduktuar brenda afateve ligjore që parashikon Kodi Zgjedhor, numrin e zgjedhësve pa adresë dhe të dubluar, është në vazhdën e përpjekjeve për manipulimin e zgjedhjeve të 23 qershorit”, thuhet në deklaratën e FRD-së.

Top Channel