Kandidatët, platformat, idetë, kundërshtitë, programet, rivaliteti, lideret kryesore, dy kampet e medha, por edhe të vegjelit, të pavarurit, do të vendosen të gjitha në vëmendjen e “Top-Story; Shqipëria Vendos 2013”, duke nisur nga sot, çdo të martë, të mërkurë dhe të enjte (21-23), deri në zgjedhjet e 23 qershorit.
Nga një studio e re, e ndërtuar mjeshtërisht dhe në kohë rekord në selinë e re të “Top-Channel” në periferi të kryeqytetit, Sokol Balla pati kënaqësinë që të ftonte në një debat të gjatë për ekonominë, figura kryesore të kësaj fushe, duke nisur nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli.
I vendosur i pari në listën e kandidatëve të maxhorancës në Gjirokastër, Ruli pati përballë të parin e socialistëve në të njëjtin rreth, deputetin Arben Ahmetaj.
Një tjetër ministër ishte i pranishëm në “Shqipëria Vendos”, kreu aktual i ekonomisë, Florion Mima, së bashku me ish-guvernatorin e kandidatin socialist për deputet, Shkëlqim Cani, Nikolin Jakën, kreun e Dhomës së Tregëtisë e Olti Rrumbullakun, pedagog.
Biseda hapëse e këtij emisioni, rastësisht, erdhi në të njëjtën ditë kur shumicës së shqiptarëve, në celularët e tyre u mbërriti një mesazh nga kryeministri Berisha, i cili fliste për arritjet e qeverisë së tij, integrimin në NATO, liberalizimin e vizave, por mbi të gjitha për ekonominë.
E ekonomia, në debatet gjithmonë e më të shpeshta për sistemin e taksimit dhe mirëqënien, është shndërruar befas në një çështje që po merr gjithmonë e më shumë peshë në këtë fushatë.
Taksa e sheshtë apo ajo progresive
I pari që mori fjalën, zoti Ruli, u përpoq të shpjegonte në një fjalim hyrës të gjatë, diferencat që ndajnë të dy kampet politikë në këndvështrimin për ekonominë: “Zhvendosja e ekonomisë në qendër të vëmendjes së fushatës është një prirje e natyrshme e të gjithë shqiptarëve dhe ka të bëjë me emancipimin e vetë fushatës zgjedhore në Shqipëri. Kjo është tema që do të ndikojë më shumë tek vota, pasi standarti i jetesës e të ardhurat, së bashku me punësimin e investimet janë çështjet kryesore që shqetësojnë votuesin shqiptar. Natyrshëm, në debatin me opozitën, kemi divergjenca të ndryshme. Përsa i përket taksës, është e shndërruar në një tematikë, por më duket se ajo që ka bërë opozita deri tani ka qenë një mbrojtje diletanteske dhe jo e arsyeshme e modelit të saj. Thuhet përditë se duhet të kalojmë në taksën progresive, por zoti Rama shpesh flet për një model të bazuar tek vullneti i përbashkët dhe bujaria e shqiptareve, një lloj bamirësie kombëtare dhe kjo nuk është serioze. Përsa i taksës së sheshtë, unë mendoj se duhet ta forconim edhe më shumë. Synimi ynë është ulja e taksës, TVSH u ul nga 23% në 10% e kjo është merita kryesore e taksës së sheshtë. Ndërsa proporcionaliteti që ofron opozita, nuk është shpjeguar asnjëherë qartë”.
Përballë këtij qëndrimi të zotit Ruli, socialisti Arben Ahmetaj sqaroi konceptet e opozitës për një taksim të ndershëm, ndërsa mbrojti programin e “Rilindjes”, si të vetmin në gjendje që t’i japë një “kthesë pozitive”, gjendjes së rëndë ekonomike në vend. Në fjalën e tij, ai gjithashtu akuzoi qeverinë për rënien e punësimit dhe mospranimin e mosmarrjen e masave për t’i shpëtuar krizës ekonomike globale.
”Ekonomia është në fokus të fushatës, e në këndështrimiun tim ka tre arsye përse është në fokus. Së pari, opozita ka minimalisht tre vite që po fokusohet në aspektin e krizës ekonomike e në aspektin e varfërimit të përditshëm të qytetarit të zakonshëm. Sigurisht, pala kundërshtare, duke parë ekon që kanë debatet tona për ekonominë, ka qenë e detyruar ta ndjekë këtë debat, e në këndvështrimin tim këtë e ka bërë shumë keq, duke kopiuar shumë keq konceptet e programit tonë. E dyta, ekonomia nuk është më virtuale, pasi mund të flasësh për ç’të duash gjatë të gjithë ditës, por gjërat e prekshme dhe debatet konkrete janë ato për ekonominë familjare, të qytetit e xhepin e qytetarit. Një parti serioze, si e jona, nuk mund t’i shmanget këtij fokusimi dhe e treta është momenti i krizës së thellë, që do një fokus tek gjërat më konkrete, gjë që kjo qeveri e ka bërë në vitet e fundit duke mohuar ekzistencën e krizës e duke thënë që jemi vendi i dytë në botë pas Gjermanisë. Sondazhet tona, kanë treguar qartë se mes problemeve më të mëdha të shqiptarëve, varfëria dhe papunësia renditen si problemet kryesore”, deklaroi Ahmetaj.
Sipas tij, “është e vërtetë ajo që thotë Ruli, që kemi dy modele ekonomike. Por, le të mbetemi tek shifrat. Zoti Ruli nuk detajoi një tjetër fakt, taksën e sheshtë dhe suksese e saj, e këtë e bëri për një arsye, pasi taksa progresive vërtet është një ndër kuajt tanë të betejës, por nuk i ka trembur modeli, por fakti se favorizon 95% të të punësuarve dhe i ka prekur sepse demaskon këtë model të deshtuar që aplikohet aktualisht”.
Në pyetjet që Ahmetaj shtroi, ishin se përse kjo taksë është kaq e sukseshme, kur “punësimi dhe të ardhurat e buxhetit kanë rënë”, ndërsa sqaroi se koncepti i tatimit të ndershëm dhe progresivitetit, cënon atë 5% të shqiptarëve me të ardhura mujore mbi 1,5 mln lekë të vjetra. Njëkohësisht, Ahmetaj qartësoi se taksa e sheshtë nuk do të shfuqizohet, përkundrazi, ajo do të reduktohet edhe më shumë nga qeveria e ardhshme socialiste, në rast fitoreje, duke u ulur në 3-5% për biznesin e vogël, që sipas deputetit socialist, do të vazhdojë të lehtësohet edhe më shumë.
Për ministrin e Ekonomisë, Florion Mimën, dallimi midis dy sistemeve të taksimit është i qartë dhe ndryshimet mund të ilustrohen qartë duke krahasuar ndryshimet fiskale të mandatit të parë të qeverisë aktuale, me atë të mandatit të fundit socialist.
Duke kujtuar se në vitin 2006, ai ishte pjesë e komisionit të ekspertëve që studioi efektet që do të sillte zbatimi i taksës së sheshtë, Mima tha: “Kur PD në pushtet në vitin 2005, gjeti përveç ekonomisë reale, sipas shifrave që i janë referuar edhe partnerët tanë ndërkombëtare, informalitetin 60% zyrtarisht. Korrupsioni dhe evazioni na kushtonin 1,4 mld dollarë më pak në vit, kishte taksa të shmangura e kontrabandë. Kontributi mbi të ardhurat personale ishte vetëm 0,5 e GPD-së. Të gjitha koorporatat shqiptare, me tatimin e tyre 25% sillnin një të ardhur prej 1,6% të buxhetit. Sigurimet e personave të vetdeklaruar nga biznesi ishin vetëm 280 mijë, paga mesatare e deklaruar dhe e vetdeklaruar për efekt ishte 15 500 lekë. Kjo është Shqipëria që na lanë e për ne kjo ishte ultimatum për të bërë ndërhyrjen kirurgjikale më të sertë të fiskalitetit shqiptar ndonjëherë”.
Duke vazhduar më tej me krahasimin e tij, Mima saktësoi: “Taksa e sheshtë thjeshtoi sistemin, duke ulur koston e regjistrimit e reduktuar burokracitë. U hoqën me mijëra përjashtime dhe të gjithë e llogarisnin shumë thjeshtë tatimin që duhej paguar. Brenda vitit të parë, ndodhi kërcimi ekzempler nga 0,5 në 2,3% të tatimit personal, si kontribut në GDP. Tatimi koorporativ, me gjithë përgjysmimin, përsëri ngeli 1,6% e GDP. Rrafshi individëve të regjistruar u dyfishuar në 418 mijë, saç është sot. Besoj se dallimet midis dy filozofive janë të qarta dhe rezultatet flasin qartë”.
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, Shkëlim Cani deklaroi se imponimi i ekonomisë për klasën politike, është zhvillimi më pozitiv i kësaj fushate deri më tani. Duke u ndalur tek sistemi i taksimit, ai tha se duhet do të ishte e udhës të shmangej debati taksë e sheshtë apo taskë progresive dhe të shihej se sa ndershmërisht zbatohet një taksë në terren: “Çmoj si një vlerë për PS që u përqendrua në ekonomi. Shqiptarët kuptuan që ekonomia e tyre nuk është rastësi, është pjesë e së tërës dhe ata duhet të kujdesen për vete dhe unë shpresoj që ata t’u imponojnë partive politike për një jetë më të mirë. Nga ky këndvështrim unë them që është gjëja më e mirë. PS flet më saktë kur shprehet për taksë të ndershme. Ka ardhur koha të ndryshojë taksimi. Sistemi nuk është qëllim në vetvete. Nga të gjitha përgjigjet që kemi marrë, taksat nuk zbatohen ndershmërisht, shpërfytyrohen në mënyrë të dukshme, edhe pse është e thjeshtë. Taksa nuk ka qëllim, por duhet për të mbushur të ardhurat e buxhetit dhe me to të bëhen shpenzime. Por nëse rritet borxhi tej limiteve, atëherë taksa nuk e ka arritur qëllimin e vet. Për cfarë na vlen kjo taksë?”, tha ai.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jakaj deklaroi se biznesi ndjehet komod, të paktën deri më tani nga qendrimet e të kaheve të politikës. Ai tha se vlerësohet taksa e sheshtë, por edhe premtimi i opozitës së sotme, që nuk do të prekë këtë taksë për koorporatat. “Them që në përgjithësi shoqatat e biznesit kanë qenë pjesë konstruktive e debatit. Ne mbështesim taksën e sheshtë, por nga ana tjetër kemi marrë premtimin nga ana tjetër për mosaplikimin e taksës progresive tek koorporatat. Prandaj them që biznesi është komod në këtë situatë. Ajo që do të kritikoja tani është mosfunksionimi i Këshillit Konsultativ të Biznesit nuk funksionon sic duhet”.
Shqetësimit të zotit Jakaj iu përgjigj Ministri i Ekonomisë, Mima: “Për Këshillin unë jam duke përgatitur një draft për reformimin e tij që parlamenti i ri duhët ta miratojë”.
Pedagogu i shkencave ekonomike në Universitetin e Tiranës, Olti Rrumbullaku deklaroi se taksa e sheshtë favorizon koorportatat por me kalimin e viteve rëndon gjithnjë e më shumë në xhepat e qytetarëve “Deri para një viti taksa e sheshtë ishte akoma një mit në Shqipëri, konsiderohej e suksesshme. Por Koorporatat patën një favorizim që nuk e përkthyen me investime në sektorët e ekonomisë, ndërsa punonjësit, rrogëtarët me kalimin e viteve nisën të penalizoheshin. Nga 1994 deri më tani, vetëm dy herë shteti ka favorizuar një grup malli për interesa të favorshme, drutë në 1994-1995 dhe gazi nga 1998. Vetëm këto dy herë shteti ka menduar për qytetarin”.
Ndërkohë, ish-ministri i Ekonomisë, Ruli sulmoi programin e PS për taksimin: Kemi një risi nga PS që flitet për taksë të ndershme. Kur flasim për sisteme taksash duhet të kemi parasysh që s’ka taksa të ndershme, asnjë taksë nuk është e ndershme. Ne ulëm taskën për biznesin nga 23 përqind në 10 përqind dhe pati impaktet, u rritën investimet, një klimë ekonomike që krijoi të tilla investime s’është parë në vendet e rajonit. Shqipëria ndryshe nga Maqedonia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi nuk ra në krizë. Në asnjë periudhë tjetër si këto 8 vite nuk gjenden kaq shumë investime”.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ahmetaj këmbënguli në konceptin e taksës së ndershme: “ Taksa e ndershme është koncept i ri dhe ka të bëjë me aplikimin e njëjtë të taksës për këdo. Mbledhja e taksave ka rënë për shkak të korrupsionit duke prekur në 2012 pikën më të ulët të 10 viteve të fundit. Sa për papunësinë INSTAT deklaron 51.592 vende pune të humbura në periudhën 2008-2012. Ka dështuar ky model 8-vjecar”.
Ministri Mima kritikoi programin e PS-së pasi nuk thotë sa shkallë do të ketë sistemi i taksës progresive.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë, ngriti disa pyetje për politikën, mes të cilave edhe problemi i pronësisë, kreditë e këqia apo shlyerjen e borxheve. Ai tha se biznesi mbështet një taksë të sheshtë sa më të ulët.
Deputeti socialist, Ahmetaj tha se PS do të mbështesë biznesin dhe se do kontrollojë koncesionet e dhëna gjatë këtyre viteve, ndërsa ish-guvernatori Cani tha se lufta ndaj korrupsionit dhe abuzimeve me koncesionet do të mbushë arkën e shtetit pas 23 qershorit në rast të fitores së Partisë Socialiste.
Top Channel