Napoli, Benitez zyrtarizohet trajner

28/05/2013 03:00

Rafael Benitez është trajneri i ri i Napolit, tashmë zyrtarisht.

Ashtu siç ishte premtuar, njoftimi i presidentit të napolitanëve, De Laurentiis, ka ardhur përmes profilit të tij në Twitter: “Rafa Benitez është trajneri i ri i Napolit. Një njeri me eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Një lider”.

De Laurentiis publikoi më pas edhe një foto, ku kishte shtrënguar duart me ish-teknikun e Chelsea-t, fitues në fuqi i Ligës së Europës.

Kontrata është 2-vjeçare me 3,5 milionë në sezon. Këto janë shifrat e bëra publike për Rafa Benitez, trajneri i përzgjedhur për të pasuar Walter Mazzarri-n, i cili kaloi tek Inter.

Sipas disa burimeve, takimi vendimtar për akordin me napolitanët ka qenë ai i së dielës në Londër.

Trajneri spanjoll, fitues edhe i Champions League me Liverpool, në 2005, mund të prezantohet brenda ditëve të ardhshme, ose maksimumi pas rikthimit të De Laurentiis nga Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet për arsye pune.

Top Channel