Andrea Stefani – Ka dy mënyra për ta zgjidhur krizën e Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Njëra, ajo në favor të autokratizmit, është
t’i jepet Berishës mundësia të gëzojë frytet e tiranisë së shumicës së
vendosur prej tij në mënyrë të paligjshme në KQZ.
Që do të thotë të bësh atë që fton Berisha dhe Jozefina Topalli, që opozita thjesht të plotësojë 3 vendet bosh të minorancës në KQZ. Rruga tjetër, në dobi të demokracisë, është ajo e eliminimit të shumicës së paligjshme duke riorganizuar KQZ sipas një formule 3 pozita, 3 opozita dhe një kryetar i pranuar konsensualisht nga të dyja palët. Për të mbështetur cilin nga këto dy opsione vjen Xhonatan Mur në Tiranë?
***
Përgjigjja do të ishte evidente po të mbajmë parasysh se SHBA, është promovuesi kryesor i demokracisë dhe lirisë në botë. Por gjërat nuk janë aq të thjeshta në disa raste. Sepse jo pak herë edhe SHBA-të kanë qenë detyruar të shohin sakrifikimin e opsionit të demokracisë dhe lirisë në një vend, qoftë edhe përkohësisht, si dëm anësor(collateral damage) në funksion të realizimit të një qëllimi më strategjik për interesat amerikane në rajon apo në botë. Dhe është fakt se në këta 23 vjet që nga rënia e komunizmit, edhe diplomacia e SHBA e ka sakrifikuar disi opsionin e demokracisë liberale në Shqipëri në favor të stabilitetit në vend dhe e gjithë kjo, në funksion të një stabiliteti më të gjerë rajonal. Nuk e dimë nëse Shqipëria vazhdon të trajtohet si e tillë (me stabilitetin më prioritar se demokracinë) por dimë se Kryeministri autokrat, Berisha, po bën gjithçka që gjërat të mbeten kështu. Ky Cezar ballkanas që ka arritur t’i përçajë keqas shqiptarët, duket se në funksion të këtij qëllimi, ka arritur të përçajë edhe diplomacinë amerikane. Dhe këtë e ka bërë jo vetëm duke shantazhuar me reaksione nacionaliste në trevat shqiptare nëse ai humbet pushtetin, por edhe duke investuar fuqishëm miliona nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, për të lobuar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit (DAP) me anë të kompanive si “Podesta” apo miqve të tij personalë si Tom Rixh apo Xhejms Trafikant. Ky i fundit, përpara se të përfundonte në burg për trafiqe, u pa në krah të Berishës në fushata zgjedhore të sokëllinte “better dead than red”!
***
Nuk është e vështirë të konstatosh se prej vitesh, Berisha ia ka arritur që informacionet e lobuesve të tij në Uashington, të jehojnë më fuqishëm dhe bindshëm në veshët e DAP, sesa shqetësimet apo informacionet e dërguara nga ambasada e SHBA në Tiranë. Mjafton të ballafaqosh disa nga ato që thuhen në kabllogramet e ambasadorëve amerikanë publikuar nga “Uikiliks”, me deklarimet e zyrtarëve të ndryshëm të DAP që kanë vizituar kohë pas kohe Tiranën. Vite më parë, kur Berisha kërkonte shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku, ambasadorja Marsi Ris i raportonte Uashingtonit se “opozita e ka përkufizuar debatin si një luftë kundër tendencave autoritariste të Berishës dhe pretendon se Berisha synon t’ia nënshtrojë pavarësinë e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm vullnetit të tij”. Edhe më denoncuese dhe të drejtpërdrejta për autokratizmin berishist ishin disa kabllograme të ambasadorit pasardhës, Uidhers. Ky i fundit në shtator 2008 shkruan në një kabllogram se: “Që nga Samiti i Bukureshtit i prillit, Kryeministri Berisha ka ndërmarrë një numër përpjekjesh për të konsoliduar pushtetin e tij në dëm të institucioneve kyçe përfshi përpjekjet për të penguar dhe ndërhyrë në punët e Prokurorit të Përgjithshëm, për të shkatërruar hetimet mbi shpërthimin e marsit në Gërdec, për të marrë kontroll më të madh mbi Shërbimin Informativ, si dhe për të heshtur median e lirë”. Sipas Uidhers kish disa faktorë që motivonin aksionin autokratik të Berishës: 1 – frika se hetimet e Gërdecit do implikonin djalin e tij. 2 – dëshira për të fuqizuar grushtin e tij përpara zgjedhjeve parlamentare të pranverës dhe 3 – perceptimi i tij se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kish hequr vëmendjen e ndërkombëtareve nga Shqipëria, duke i dhënë dritë jeshile për t’u tërhequr nga reformat demokratike.
***
Por edhe pas këtyre informacioneve alarmante mbi bollën e autokratizmit që po kapte shtetin, zyrtarë të lartë të DAP që mbërrinin në Tiranë këmbëngulnin për ekzistencën e një “demokracie funksionale” në Shqipëri. Një gjë të tillë zëvendësndihmëssekretari Kantrimen e formuloi deri edhe pas masakrës së 21 janarit, pasi autokrati i Tiranës vrau 4 protestues të pafajshëm dhe u përpoq ta përligjë këtë krim duke shpifur se gjoja opozita kishte tentuar një grusht shteti që nuk u provua kurrë. Dhe sot kur Berisha ka sabotuar me sukses edhe hetimet e Gërdecit, edhe ato të 21 janarit, kur ka arritur të flakë nga zyra kryeprokuroren Ina Rama dhe ta zëvendësojë me një delfin të tij, kur ka bërë President po një delfin të tij, kur ka kapur edhe Shërbimin Informativ, kur ka shtrirë metastazat në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, kur ka bërë një puç institucional, duke instaluar një shumicë antiligjore në KQZ me synime të qarta për manipulimin e zgjedhjeve, diplomacia amerikane vazhdon të flasë për përgjegjësinë e përbashkët të pozitës dhe opozitës në krizën politike! Edhe ambasadori amerikan, Arvizu, që së fundmi ka shfaqur mosaprovim për mënyrën si Berisha e trajtoi çështjen e KQZ, e mendon si qëndrim diplomatik “fair”, të deklarojë paanësinë mes palëve në përleshjen politike që po afron bashkë me zgjedhjet. Po a është vërtet “fair” të mbash një qëndrim të baraslarguar mes një opozite që po dhunohet me tirani e presione gjithfarësh dhe një pushteti tashmë të provuar dhe raportuar nga vetë burime amerikane si autokratik?!
***
Deri tani duket se Berisha ka triumfuar në këtë lojë mes Uashingtonit dhe Tiranës. Deri më sot DAP dhe të dërguarit e tij kanë folur më shumë në favor të tij. Lobimet e “Podesta” e Ko, duket kanë qenë më efektive se klithmat e opozitarëve dhe medias së pavarur në Tiranë apo deri edhe kabllogramet e ambasadorëve. Është ky, me sa duket, shkaku që ndërsa kohë më parë akuzonte ambasadorin Uidhers për qëndrime personale (gjë që e ka bërë edhe më shumë ambasadorë të tjerë si Mariza Lino dhe po e mërmërit edhe për Arvizun), Berisha deklaronte gjithë triumfalizëm: “Qëndrimi i qeverisë së SHBA nuk shkon nga Tirana në Uashington, por nga Uashingtoni në Tiranë”. Një mburrje që rrëfen një të vërtetë të hidhur. Atë se në Uashington deri më sot, kanë gjykuar sipas interesave të Berishës, sepse edhe “Podesta” e kompani lobon sipas interesave të Berishës. Në konkluzion mund të themi se në Uashington, për jo pak vjet, kanë mbështetur autokratin gjë që, e ndershme ta nënvizojmë, nuk është në harmoni me objektivin strategjik të SHBA, shpallur dhe nga Presidenti Obama, që është mbështetja e demokracisë dhe lirisë kudo në botë! Pra edhe në Shqipëri.
***
Por edhe sa kohë do vazhdojë kështu? Një enigmë që e bën edhe më të ankthshëm mesazhin që do të sjellë Mur në Tiranë. Do të jetë ai në favor të autokratit duke i sugjeruar opozitës që të plotësojë 3 vende në KQZ? Në këtë rast, pakica do bëhej garniturë “demokratike”, “institucionale” e çdo manipulimi të mundshëm që me siguri Berisha, i ndodhur në pakicë të prekshme në elektorat, po përgatit. Mos harrojmë se ai mundi t’ia rrëmbejë bashkinë Edi Ramës, pikërisht me tiraninë e shumicës në KQZ që “arsyetoi” si të ligjshme numërimin e votave të hedhura gabim. Ndaj t’i thuash opozitës thjesht të plotësojë 3 vendet në KQZ, do të thotë t’ia japësh përsëri autokratit avantazhin të maskojë vjedhjen e votës me vendime “institucionale”. Apo Mur do të vijë me sugjerimin që KQZ, pas dhunimit antiligjor bërë nga Berisha dhe shumica e tij tiranike në Kuvend, të riformatohet duke risjellë edhe balancën politike, por edhe paanësinë institucionale? Dhe për këtë e vetmja formulë është 3+3 dhe kryetari konsensual. Ky është i vetmi opsion i mbetur që, më në fund, Shqipëria të ketë një premisë më shumë për zgjedhje të lira e të ndershme. I vetmi opsion në favor të demokracisë dhe lirisë, që besojmë, shpresojmë dhe duam të mbeten ylli polar i diplomacisë së SHBA.
Top Channel