Mazzari: Interi, një aventurë emocionuese

27/05/2013 19:50

Trajneri i ri i Interit, Walter Mazzari, foli për herë të parë ditën e hënë në cilësinë e detyrës së tij të re, ndërsa shpjegoi se kalimi në “San Siro”, për të është “një sfidë magjepsëse dhe tepër emocionuese”.

“Në Napoli bëmë një punë të shkëlqyer gjatë këtyre viteve. Vendimi për të lënë atë stol ishte një zgjedhje e vështirë. Veprova kundër zemrës sime në këtë zgjedhje, por në jetë duhet parë përpara. Falenderoj tifozët e Napolit për të gjithë dashamirësinë që kanë treguar ndaj meje dhe besoj se ia kam shpërblyer duke kontribuar gjithmonë për skuadrën”, deklaroi Mazzari.

“Nga ana tjetër, Interi është një aventurë që më emocionon shumë. Do të drejtoj një skuadër të madhe dhe kam bindjen që mund të bëjmë shumë gjëra të rëndësishme së bashku”, shtoi Mazzari, i cili gjithashtu zgjodhi të mos komentonte mbi mundësinë që Benitez të zërë vendin e lënë bosh prej tij në Napoli.

“Për respekt të trajnerit që do të vijë, nuk do të flas më për Napolin”, theksoi Mazzari.

Top Channel