Ilir Yzeiri – Diktaturat e ëmbla ose restaurimi i pushtetit etatik siç
po ndodh në Rusi dhe siç ka gjasë të ndodhë edhe në Hungari janë një
realitet i njohur, por në Shqipëri diktatura e ëmbël ka një model dhe ka
një shtrat që e bën atë të lulëzojë fuqishëm.
Po ta vështrosh regjimin që sundon në Shqipëri, as më shumë e as më pak, ai është një “diktaturë e ëmbël”. Një njeri-një diktator- i ka të gjitha pushtetet në dorë, duke filluar nga Presidenti që e ka si një noter personal, nga Prokurori i Përgjithshëm, nga Kuvendi, pra gjithçka.
Ai, ashtu si Putini në Rusi apo si Ben Ali në Tunizi apo Kadafi në Libi dikur, ka dhe një administratë të vetën, punonjësit e së cilës urdhëron në mënyrë të “ëmbël” që të sjellin jo një, po njëzetë vota për kokë, për diktaturën. Lajmet që vijnë përditë për tritol në banesë, për plumba mbi kryetarë lokalë partish, për djegie të biznesit dhe të shtëpisë së një kryetari tjetër partie, alarmi i dhënë nga një personalitet i vlerësuar nga të gjithë, siç është Ben Blushi, se taksidarët e diktatorit po kërcënojnë biznesin dhe se gjobat në Qarkun e Elbasanit kapin vlerën e 20 milionë eurove, nuk përbën lajm dhe nuk çudit askënd, sepse ne jetojmë diktaturën e ëmbël, thelbi i së cilës është dashuria për partinë dhe për udhëheqësin sipas të vetmit model fenomenologjik që ne kemi trashëguar në rrymë të kohës.
Në diktaturën e ëmbël, intelektualët janë të rreshtuar pas partisë në pushtet dhe pas diktatorit; e kur ata rrinë e vajtojnë diktaturën që shkoi dhe betohen se nuk do të gabojnë më, ndaj për të qenë të sinqertë, rrinë në resht te diktatori i radhës dhe shajnë diktaturën e djeshme në emër të diktatorit të ri. Zërat opozitarë në diktaturën e ëmbël, ata që kritikojnë diktatorin apo ata që e quajnë atë kriminel dhe vrasës, vjedhës të lirisë dhe të pasurisë së popullit, bandit dhe të lidhur me mafien rajonale, të gjithë këta zëra kritikë, thirren ngatërrestarë dhe miopë nga intelektualët e partisë dhe nga një pjesë e popullit quhen grindavecë. Pjesa më qesharake dhe më karikaturore e diktaturës së ëmbël janë tellallët e tij. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që qeveria të identifikohet me lumturinë e përgjithshme si këtu te ne. Pas vitit 1990, shqiptarët e gjorë u gënjyen nga trutë dhe kujtuan se vendi do të hynte në rrugën e demokracisë. Mirëpo, në vetëdijen kolektive të shqiptarëve modeli i shtetit dhe i qeverisjes nuk është delegimi i pushtetit as paraqitja e pushtetit personal përmes të zgjedhurve. Në vetëdijen e shqiptarit të gjorë, ai që ka pushtetin ka të drejtën me vete, ai është ylli që na ndrin, me të është populli, ai është feneri ndriçues. Ata që kritikojnë janë armiq të popullit, sepse shqiptari i mjerë nuk e kupton demokracinë si një sistem që ndërron qeveritë. Demokracia, sipas shqiptarit të mjerë, është mundësia që na kishte mohuar diktatura që ta përjetësonim edhe me zgjedhje diktatorin. Po ju sjell një shembull tjetër. Në Greqi, pra po e marr shembullin këtu rrotull nesh, në Ballkan, demonstratat më të mëdha disa herë i ka organizuar administrata publike për të kundërshtuar politikat shtrënguese të qeverisë. A e mendoni dot që këtu te ne të dalin në protestë, punonjësit e ministrive, mësuesit e shkollave, pedagogët e universiteteve, punonjësit e bashkive, të CEZ-it, të Ujësjellësit etj., kundër qeverisë? Do ishte shembur bota. A mund të ndodhë kjo? Kurrë. Pse? Sepse kjo nuk mund të ndodhte as në diktaturën e Enver Hoxhës. Në vetëdijen e shqiptarëve të gjorë diktatori është ai që të ushqen me bukë, është ai që të mban familjen, ndaj nuk mund të ngrihesh kundër tij. Dhe tjetra, kjo me të vërtetë është diktaturë e ëmbël, por e tillë është pse shpirtin ta merr duke qeshur, duke të “gudulisur”. Kulmi i kësaj karikature është drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”, kjo Laje moderne e diktaturës së ëmbël. Ajo, si një punonjëse partie e flaktë, bën terror në shkollë për diktatorin. Një prind ankohet dhe – vini re – lideri i opozitës i dërgon një sms konfidenciale, por edhe paralajmëruese. Mirëpo ajo, ashtu si Laja e kohës së partisë e denoncon armikun e klasës te sekretari i parë dhe i dëshmon partisë përkushtim. Kjo pjesë e shqiptarëve që kërkon legjitimimin e diktaturës së ëmbël është nënvetëdija jonë e kalbur, ajo nënvetëdije që nuk ishte në gjendje të ndalte diktaturën e hekurt dje. Ndaj sot fushata elektorale që ka nisur duhet të llogarisë edhe këtë sfidë: a do të jemi në gjendje ne shqiptarët që të ndahemi nga diktatura e ëmbël apo do të vazhdojmë të llangosemi në moçalin sherbetit të diktaturës dhe do ta varim fatin tonë në gozhdën e një njeriu. Mirëpo, kur gozhda të këputet nuk dihet se çfarë tavani do të na zërë brenda. Dhe një gjë të fundit si ka mundësi që këtu te ne po bëhet normë kjo thënie për diktaturat që është: “Diktatura është ai vend në të cilin nuk është nevoja të rrish gjithë natën para televizorit që të marrësh vesh rezultatin e zgjedhjeve” (Në fakt ai thotë para postës, por unë e përktheva para TV-së. Në kohën e tij nuk kishte TV – “Une dictature est un pays dans lequel on a pas besoin de passer toute une nuit devant son poste pour apprendre le résultat des élections. Georges Clemenceau – 1841-1929 )
Top Channel