“Për ne është një akt që e kemi kërkuar. Për atë është një larje duarsh pas krimit të shëmtuar, bllokimit të vendit të vet”.
Me këtë përkufizim kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Shkodra se do të votojë pa asnjë kusht tre ligjet e integrimit, megjithëse, siç tha ai, ky votim i vonuar nuk e ndihmon dot vendin të marrë shpejt statusin e vendit kandidat.
Kryeministri qartësoi se nuk e kushtëzon këtë votim, që e kërkon prej një viti, as me ligjin e amnistisë fiskale dhe se është i gatshëm të pranojë edhe kushtin e opozitës që tre ligjet të hyjnë në fuqi në shtator.
“Nëse ti më kërkon se a do pranosh kushtet e PS që ajo të lajë fytyrën me ujin e pistë që ata kanë bërë, 3 herë e pranoj. Nëse ata përpiqen të justifikojnë se ligjet u miratuan me një kusht të tillë, ata janë më qesharakë se kurrë. Faktikisht, ata po votojnë ligjet. Pyete pak, ku e ke Fierin? Kalorës i betejave të humburave dhe kjo është vetëm e radhës, sepse në fund po detyrohet t’i votojë. Si e tek, thashë nuk ka asgjë tjetër, është një larje duarsh”, deklaroi Berisha.
Një tjetër çështje që pret zgjidhje është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Opozita kërkon riformatim, por kryeministri është i gatshëm vetëm për plotësimin e vendeve vakantë.
“Po të dojë t’i sjellë, po të dojë të mos i sjellë. Po të dojë t’i njohë zgjedhjet, po të mos dojë të mos i njohë. Zgjedhjet. Detyra ime është ‘fair play’ dhe ajo po ndodh”, nënvizoi Berisha.
Të premten ambasadori amerikan Alexander Arvizu përdori termin “konstituim të KQZ-së”, kur foli për seancën e pritshme të tre ligjeve. Ndërsa kryeministri Berisha tha në Shkodër se konstituimi ka ndodhur. “Kështu që Komisioni është i konstituar. Zoti Rama, po i solli kandidaturat do t’ia votojmë”, tha Berisha.
Për çështjen e KQZ-së ka ardhur në Tiranë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Johnathan Moor dhe kryeministri Berisha la të kuptohej se mund të ketë një propozim prej zyrtarit amerikan.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë miqësore, janë shumë të mira. Zoti Moor është një mik dhe është shumë i mirëpritur. Çfarë qëndrimi do të mbajë zoti Rama, këtë nuk e di”, shtoi Berisha.
Top Channel